11:04 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / OSH

Osmani: Vizioni i Rugovës i parapriu shtetësisë së Kosovës

U.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 76- vjetorit të lindjes.

Osmani ka pohuar se në ditëlindjen e presidentit Rugova, kujtojnë personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës.

Postimi:

Në ditëlindjen e themeltarit të shtetit, presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtuam personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës e politikanin humanist, vizioni i të cilit i parapriu shtetësisë së Kosovës. Tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin. I përjetshëm kujtimi për të.