OVL e UÇK-së: Mbështetja e SHBA-së, vendimtare në rrugëtimin drejt lirisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka uruar dhe ka shprehur mirënjohjen e përjetshme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Përmes një njoftimi për medie, OVL e UÇK-së thekson se populli amerikan ka qenë gjithmonë përkrah nesh në momentet më të rënda historike.
”Mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe shtetësisë dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, OVL e UÇK-së shpreh mirënjohje të veçantë edhe ushtarëve amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të përditshëm për paqe dhe siguri.
”Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë dhe, në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë, paqes apo miqësisë së sinqertë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah SHBA-së. Zoti e bekoftë Amerikën! Gëzuar 4 Korrikun!”, thuhet në fund të njoftimit.