09:54 / E Martë, 28 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Pa kaluar këto procedura, kryetarët e zgjedhur s`mund të vihen në krye të komunave

Ka ende kohë deri sa kryetarët e zgjedhur nga vota e qytetarëve, të vihen në detyrat e tyre. Kjo për shkak të procedurave që duhet të ndiqen deri në momentin e inaugurimit të kryetarëve që pritet të qeverisin 38 komunat e Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur për “Indeksonline” se cilat hapa duhet ndjekur deri në momentin e çertifikimit të kryetarëve që u zgjodhën në zgjedhjet lokale.

Sipas tij, pas shpalljes së rezultateve, duhet pritur ankesat që parashtrohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). E, në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, palët ankuese mund të drejtohen tek Gjykata Supreme.

Andaj, ka thënë Elezi, duhet pritur vendimi i këtyre institucioneve në mënyrë që KQZ të procedojë me çertifikim.

“Fillimisht është shpallja e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve dhe të rivotimit për kryetar të komunës së Parteshit. Pastaj hapet afati për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ne duhet të presim vendimamrrjen e këtij institucioni për të proceduar tutje, në rast se do të ketë ndonjë ankesë. Dihet që në rast se ka ankesa dhe ky institucion hedhë poshtë ndonjërën prej tyre, pala ankimuese mund të paraqesë sërish ankesë në Gjykatën Supremë. Pra ne duhet të presim vendimmarrjen e këtyre institucioneve për të proceduar tutje drejt çertifikimit të rezultateve përfundimtare dhe përmbylljes së procesit zgjedhor”, ka deklaruar Elezi.

Pas çertifikimit të kryetarëve, vlen afati 15 ditor që të mbahet mbledhja inauguruese. Në përgjigjen dhënë për “Indeksonline”, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka bërë me dije se kjo procedurë është e paraparë me nenin 42 të Ligjit për Vetqeverisje Lokale.

“Pranimi i mandatit nga organet e reja komunale (Kuvendin e Komunës dhe Kryetarin e Komunës), bëhet me konstatimin e organeve të reja, e cila bëhet në një mbledhje solemne-inauguruese. Mbledhja inauguruese mbahet 15 ditë nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, ashtu siç është paraparë me nenin 42 të Ligjit për Vetqeverisje Lokale. Në komunat ku ndodh certifikimi i organeve komunale (certifikimi i kuvendeve të komunave dhe certifikimi i kryetarit të komunës), ato në afat prej 15 ditësh nga dita e certifikimit mund të thirrin mbledhjet inauguruese për konstatimin e organeve komunale”, bën të ditur MAPL.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 22 tetor, kurse balotazhi u mbajt më 19 nëntor./Indeksonline/