10:55 / E Premte, 28 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Pacientët kërkojnë ndërprerjen e grevës së mjekëve

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë përmes një konference për media kanë kërkuar ndërprerje të grevës së mjekëve si dhe fillimin e një reformë në sistemin shëndetësor.

Besim Kodra, drejtori i kësaj shoqate tha se Kosova ka një sistem shëndetësor jo të volitshëm për qytetarët.

Ai e ka konsideruar të padinjitetshme mënyrën se si është zgjedhur të mbahet greva.

Sipas tij, kërkesa e mjekëve nuk duhet të jetë vetëm ngritja e pagave porse duhet të kërkojnë edhe mjete e kushte shëndetësore.

“Konsiderojmë se greva duhet të ndërprehet sepse nuk është momenti i duhur pasi që edhe Kuvendi është në pushim, i ftojmë mjekët ta ndërpresin grevën”, tha ai.

Tutje ai tha se mosofrimi i ndihmës në rastet emergjente përbën shkelje ligjore.

Kodra tha se qeveritë kanë dështuar të sjellin reforma në sistemin shëndetësor. Anëtari i shoqatës PRAK, Lumbardh Bytyqi tha se rritja e pagave është kërkese e vogël dhe se duhet kërkuar një organizim më i madh.

Megjithatë, ai thotë se nuk duhet të lejojmë që pacientëve të mos u ofrohen shërbime.