11:51 / E Hënë, 12 Shkurt 2024 / S Z

“Pacientja 8-vjeçare më shihte si engjullin e saj mbrojtës”, rrëfimi i anesteziologut që përkundër sfidave vazhdon me përkushtim profesionin e tij !

Punon si specialist i anesteziologjisë për rreth 30 vjet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Megjithëse e sheh si sfidues profesionin që ka zgjedhur, anesteziologu Lulzim Emini e bënë me aq pasion punën e tij, si 29 vjet më parë kur dhe filloi karrierën.

Teksa flet për vitet e kaluara në QKUK, thotë se nuk e kishte  menduar kurrë që profesioni që zgjodhi sa ishte i ri,  të kishte kaq shumë sfida, angazhim profesional, njerëzor e moral.

Teksa flet për punën e vështirë të një anesteziologu,  thotë se është njëri  prej profesioneve me të vështira e stresuese në mjekësi, por i cili të jep dhe kënaqësi e kurajo, kur rezulatatet tek pacientet janë evidente.

Thotë se ky profesion i vështirë shpesh i bënë dhe krenar pasi që shohin buzëqeshjet në fytyrat e pacientëve, të cilëve ua shpëtojnë jetën.

“Një vajzë e vogël  8 apo 9 vjeçare ma ka shkruar një kartolinë dhe me ka thënë t’i je engjulli im mbrojtës, derisa të jem gjallë. Për mua ka qenë më e rëndësishme ajo kartolinë e një vajze që mua më paramendon si engjëll mbrojtes të jetës së saj, se çfarëdo pasurie që njeriu e krijon gjatë jetës. Rastet e tilla kur pacientet janë natyrshëm mirënjohës,  na japin kurajo për sfidat e radhës”, thotë Emini.

Megjithëse e kanë profesion, thotë se as mjekët nuk mësohen dot me rastet e rënda që kanë, pasi që kjo arrin gjithmonë t’i prek ndjenjat e tyre njerëzore.

Sipas tij çdo situatë të rëndë që e përjetojnë, merr pak nga mirëqenia njerëzore e tyre, duke i lënë me të varfër se sa që shin më parë.

E profesionin e  anesteziologut e krahason me atë të pilotit. Po ashtu i tregon arsyet që po të kthehej në kohë,  pse do ta zgjidhte sërish profesionin e  njëjtë. Por dhe ato të cilat do të bënin që kurrë më të mos e zgjidhte të njëjtin profesion.