14:40 / E Shtunë, 10 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pacolli demanton ambasadorin britanik: Na trego dëshmitë për tërheqjen e njohjeve

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i ka quajtur si të rreme të gjitha lajmet për tërheqjen e njohjes nga disa shtete, duke thënë se deri tash nuk kanë marrë asnjë notë verbale ku thuhet se refuzohet të ketë marrëdhënie ose që tërheq njohjen.

Pacolli i bëri këto komente në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e paqes.

Ndërsa, duke folur për mundësin që lista serbe të largohet nga Qeveria e Kosovës, Pacolli tha se lista serbe duhet ta kuptojë që vendi ku mbrohen interesat e tyre është Kuvendi i Kosovës dhe pjesëmarrja e tyre në institucione dhe nuk beson që do të tërhiqen nga kjo mundësi.

“Unë kërkoj nga faktori politik kosovar unitet dhe mos të habiten asnjë veprim i të tjerëve, duke ditur se një veprim i tillë është i dirigjuar nga lartë, nga Beogradi dhe ka për qëllim pengimin e mbarëvajtjes së gjërave në shtetin e Kosovës, prandaj unë besoj që  faktori politik, partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme që në një rast të tillë që unë nuk mendoj që do të ndodhë, mos të shkatërrojnë  edhe më tepër por të jenë të përgjegjshëm ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj qytetarëve dhe t’i ndihmojnë proceset“, ka deklaruar Pacolli për “Indeksonline”.

Sipas Pacollit, asnjë shtet nuk na ka shkruar nota verbale për tërheqjen e njohjeve deri tani asnjë notë verbale nuk e kemi marrë që ndonjë shtet është tërheq nga marrëdhëniet e krijuara me Kosovën.

“Ata bëjnë një veprim që të gjithë e shohin si shumë diskruktiv dhe sa do t’ia dalin unë nuk e di, nëse keni ndërmend të flisni për tërheqjen e njohjeve, unë iu garantoj sot që Kosovën e kanë njohur 116 shtete dhe ekzistojnë 116 nota verbale që kanë ardhur në Kosovë dhe më shumë se 100 shtet kemi marrëdhënie diplomatike të nënshkruara në mes Prishtinës dhe kryeqyteteve të këtyre shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe deri tani asnjë notë verbale nuk e kemi marrë që ndonjë shtet është tërheq nga marrëdhëniet e krijuara me Kosovën de fakto dhe de jure dhe nga njohja e Kosovës”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit të Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili ka thënë se janë disa shtet që kanë tërhequr njohjet.

“Nëse ky diplomat posedon diçka le të na tregon edhe neve, ne nuk kemi marrë asnjë notë verbale sa i përket njohjeve dhe besoj që nuk duhet të biem pre e informatave të rrejshme, për mua tërheqje është atëherë kur një shtet refuzon të ketë marrëdhënie me Kosovën, një shtet i cili thotë se deri tash e kam njohtë por tani tërhiqem nga njohja, kjo nuk ka ndodhur ende“, ka thënë  tutje Pacolli.

Pacolli ka shprehur mirënjohjen për Francën që e ka bërë të mundur që Kosova të jetë e barabartë me të gjitha vendet tjerët Forumin e paqes në Paris, ku është një mundësi e mirë për të krijuar kontakte me ato shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Ndryshe, ditë më parë, ambasadori britanik Ruairi O’Connell ka thënë se fatkeqësisht disa tërheqje kanë ndodhur.

Ai gjatë bashkëbisedimit me qytetarë në rrjetin social Facebook ka pohuar këtë gjë.

“Fatkeqësisht, disa vende i kanë tërheq njohjet e tyre për Kosovën. Nuk mendojmë që ka ndonjë justifikim për këto veprime. Kosova i përmbushë të gjitha kriteret për të qenë një shtet i pavarur, ne e kemi pranuar Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran”, është përgjigjur në njërën nga shumë pyetjet për të./Indeksonline/