“Trauma nuk ka afat”, kërkohet heqja e afatit për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale
Pas luftës, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, u bë e ditur se gjatë luftës në Kosovë numri i të mbijetuarave të dhunës seksuale mund të ketë arritur rreth 20 mijë raste.
Megjithatë, deri sot, numri zyrtar i të njohurve nga institucionet e Kosovës sillet rreth 2,400 raste të verifikuara.
Kjo diferencë e madhe mes vlerësimeve dhe rasteve të njohura zyrtarisht vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme dhe më të diskutueshme në trajtimin e pasojave të luftës në Kosovë.
“Që nga fillimi i punës së tij, Komisioni ka pranuar gjithsej 2,443 kërkesa, prej të cilave 1,962 janë aprovuar, ndërsa 363 janë refuzuar. Nga rastet e aprovuara, 1,838 i përkasin gjinisë femërore, ndërsa 124 gjinisë mashkullore. Gjatë vitit 2026 janë pranuar 60 kërkesa të reja, ndërsa 25 raste aktualisht janë në pritje të shqyrtimit”, ka treguar Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, përmes postës elektronike për emisionin MAT në Klan Kosova.
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë është themeluar në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë afati i tij i punës është zgjatur disa herë, fillimisht me mandate dyvjeçare. Në një nga mbledhjet më të fundit, Qeveria e Kosovës vendosi ta zgjasë afatin për aplikim për njohjen e këtij statusi deri më 15 maj 2027. Në këtë kontekst, drejtoresha e organizatës “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, ka kërkuar që ky afat të shtyhet edhe më tej, duke argumentuar se shumë viktima ende kanë nevojë për kohë dhe mbështetje për të marrë guximin që të flasin dhe të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.
“Prej 20 mijëve janë diku 2400 dhe është diku një 12%, 10% kështu që ne me të vërtetë duhet të punojmë këtë punë edhe më tepër dhe të gjithë së bashku që të ndalojmë stigmën e cila me të vërtetë është duke i penguar shumë të mbijetuarit që të aplikojnë për të marrë statusin. Pengesa më e madhe në shoqërinë tonë, mentaliteti patriarkal. Si pengesa që deri tash i kemi vetëm 2400 veta. Problem tjetër, koha për aplikim, afati kohorë, koha për aplikim përfundon në muajin maj të vitit 2027. Ta heqim këtë afat sepse trauma nuk ka afat”, deklaroi Mirlinda Sada, Drejtore e Medica Gjakova.

