18:08 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

Pacolli: Kosova dhe Çekia po përafrohen mes vete dhe po ndërtojmë partneritet gjithëpërfshirës

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka udhëtuar sot për në Pragë, ku ka takuar zëvendëskryeministrin e Republikës së Çekisë dhe Ministër i Industrisë dhe Tregtisë, Karel Havlíček. 

Ai përmes një postimi në facebook ka thënë se zëvendëskryeministri Havlíček shprehi gatishmërinë e Çekisë për të punuar me Kosovën në shumë sektorë, me theks në energji.

“Në kuadër të vizitës sime dy ditore në Pragë, kam takuar Zëvendëskryeministrin e Republikës së Çekisë dhe Ministër i Industrisë dhe Tregtisë, Karel Havlíček. 
Një bisedë e hapur dhe shumë e çiltër, me ide konkrete të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë. 
Të dy vendet tona mund të ofrohen më shumë përmes bashkëpunimit ekonomik dhe zëvendëskryeministri Havlíček shprehi gatishmërinë e Çekisë për të punuar me Kosovën në shumë sektorë, me theks në energji:, ka thënë Pacolli.

Ai gjithashtu ka thënë se Çekia do të ndërtojë marrëdhënie të forta ekonomike me Kosovën. 

“Mikpritësi e cilësoi Kosovën pjesë të Evropës dhe tha se Çekia do të ndërtojë marrëdhënie të forta ekonomike me Kosovën.
Një zhvillim i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet tona ndërshtetërore. Kemi nënshkruar së bashku me Zëvendëskryeministrin Havliček marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik, e para marrëveshje e këtij lloji e cila do të hap rrugën e identifikimit të fushave për bashkëpunim ndërmjet nesh. Kosova dhe Çekia po përafrohen mes vete dhe po ndërtojmë partneritet gjithëpërfshirës”, ka shkruar Pacolli../Indeksonline/