10:11 / E Hënë, 02 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pacolli: Lajmi për vizat u vonua për një arsye, KE-ja këtë javë del me qëndrim!

Komisioni Evropian të enjten e kaluar (28 qershor) pritej ta publikonte Raportin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, raporti në fjalë, i cili dëshmonte nëse janë plotësuar kriteret e fundit për vizat, nuk mori kurrfarë sinjali nga KE-ja.

Njoftimin për shtyrje të publikimi të raportit e bënë zyrtarët e shtetit të Kosovës, përderisa një raport i tillë parashihet të publikohet gjatë kësaj jave.

Këtë e ka konfirmuar për “Indeksonline”, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Madje, kryediplomati kosovar si arsye për mos-publikimin e raportit thotë se ishin “festat”.

“Jam i bindur se këtë javë publikohet. Po, pati një vonesë të shkurtër për shkak të ditëve festive në fund të muajit”, ka thënë Pacolli.

Ndër të tjerash duke mos dashur të zgjasë deklarimin e tij lidhur me këtë çështje, Pacolli është shprehur optimist për publikimin e raportit.

“Raporti do të jetë pozitiv”, është shprehur i bindur zv/kryeministri i vendit, Behgjet Pacolli.

Ndryshe raporti pozitiv nga Komisioni Evropian mund të fuqizojë hapjen e rrugës së Kosovës drejt liberalizimit të vizave. Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e pakta në botë që qytetarët e saj e kanë të pamundur udhëtimin pa viza në zonën Shengen.

Pavarësisht se shteti i Kosovës është i pavarur që nga viti 2010 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës, banorët vazhdojnë të jenë të izoluar në pamundësi të udhëtimit pa viza.

Ditë më parë në një konferencë për media edhe Ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha u shpreh e bindur se rekomandimi për vizat është çështje ditësh./Indeksonline/