19:40 / E Hënë, 09 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pacolli në Samitin e Londrës: Koha për marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ka sjellë progres dhe rezultate pozitive por është koha që të flasim për marrëveshje përfundimtare e cila do të jetë në të mirë të të dyja vendeve.

Kështu ka thënë në adresimin e tij Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në sesionet e diskutimeve të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor bashkë me ministrat e tjerë të vendeve të Bashkimit Europian, pjesë e “Procesit të Berlinit”.

Kryediplomati kosovar ka prezantuar prioritetet dhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës ndërsa ka vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor tani më e njohur si “Procesi i Berlinit” në përshpejtimin e krijimit të kushteve infrastrukturore për zhvillim ekonomik si dhe në paqësimin e mëtutjeshëm të rajonit përmes bashkëpunimit konstruktiv.

Gjatë pjesës fillestare të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Pacolli kishte marrë pjesë në panelin diskutues me shoqërinë civile gjatë të cilit është diskutuar lidhur me përmirësimin e perspektivës së rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në margjina të Samitit të Londrës, Pacolli ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësuesë të niveleve të larta nga shtete të ndryshme që po marrin pjesë në këtë ngjarje.