Pacolli ngushëllon popullin egjiptian, ku u vranë mbi 300 myslimanë
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli e ka ngushëlluar popullin egjiptian, për sulmin e ISIS-it që la mbi 300 të vdekur.
“Mendimet e mia shkojnë sonte tek populli egjiptian dhe viktimat myslimanë e sulmit terrorist në Egjipt. Mbi 230 viktima të vrarë në një ditë dhe vend të shenjtë”, ka shkruar Pacolli.
Prokurorët e Egjiptit thanë se nga sulmi në qytetin Bir al-Abd, afro 40 kilometra nga kryeqyteti rajonal, El-Arish, janë vrarë 305 vetë, përfshirë 25 fëmijë, ndërsa janë plagosur 128 persona të tjerë.
Në kumtesën e prokurorëve, po ashtu, theksohet se 25 e deri në 30 militantë, të përfshirë në këtë sulm, ishin pjesëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik (IS) dhe e kishin “ngritur flamurin” e këtij grupi ekstremist.
Autoritetet thanë se ky sulm i militantëve me armatime automatike dhe eksploziv, kundër një xhamie gjatë Faljes së Xhumasë, ishte sulmi më vdekjeprurës nga ekstremistët islamikë në historinë moderne të Egjiptit.