09:30 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Pacolli: Raporti për heqjen e vizave, në këtë kohë!

Ndërkohë që ende nuk ka ndonjë datë për heqjen e vizave, qytetarët e Kosovës presin që në këtë muaj Komisioni Evropian të dal me raportin për liberalizimin e vizave.

Së bashku me raportin, pritet të bëhet e ditur edhe data ekzakte se kur të rinjtë dhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.

Kështu ka deklaruar  zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Në një prononcim për Indekosnline, Pacolli shprehet i bindur se raporti i Komisionit Evropian që do të dal deri në fund të këtij muaji, është pozitiv.

“Deri në fund të muajit, kemi raportin që do të jetë pozitiv”, është shprehur Pacolli.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Kosova do nisë lotimin e saj në vendet anëtarë të Bashkimit Evropian.

Të enjten (më 7 qershor) një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, dhe ku do marrin pjesë edhe përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës vetëm pak javë para se të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën./Indeksonline/