10:11 / E Hënë, 27 Nëntor 2023 / L K

Padia ndaj Google për Diskriminimin e Gjuhës Shqipe, Google ka një kërkesë

Gjykata e Lartë e Kalifornisë konfirmon padinë ndaj Google për diskriminim të Gjuhës Shqipe

Google kërkon shtyrjen e afatit deri më 18 Dhjetor

Pas konfirmimit të padisë ndaj gjigantit teknologjik Google në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për diskriminim të gjuhës shqipe, Dr. Neshad Asllani dhe Z. Haki Dervishi kanë pranuar kërkesën zyrtare nga Google LLC për të dhënë pëlqimin për shtyrjen edhe për 15 ditë, të afatit të caktuar nga gjykata e lartë në Kaliforni. Në arsyetim ceket se, Google i nevojitet më shumë kohë për t’u përgatitur dhe për të ofruar përgjigje në padinë për diskriminim të Gjuhës Shqipe.

Me sugjerim të avokatëve dhe këshilltarëve në SHBA, Dr. Asllani dhe Z. Dervishi kanë aprovuar kërkesën e bërë nga Google dhe janë pajtuar për shtyrjen e afatit deri më 18 dhjetor 2023. Sipas avokatëve, kërkesa nga Google dhe dakordimi për shtyrjen e afatit përafron edhe më shumë palët dhe krijon mundësi për dakordim final për këtë çështje të rëndësishme për të dy palët. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga paditësit dhe i pandehuri Google për shtyrjen e afatit deri më 18 Dhjetor 2023, është dërguar në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë.

Kujtojmë se padia është ngritur sepse diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.

Për padinë e bërë ndaj Google për diskriminim të gjuhës shqipe janë informuar edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës në SHBA.

Investimi dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Dr. Asllanit dhe Z. Dervishi do të krijojë mundësi dhe përfitime marramendëse financiare për portalet, kanalet televizive, gazetarët, blogerët, këngëtarët, agjensionet e marketingut dhe institucionet e tjera. Do të shtohen edhe të hyrat për të gjitha kompanitë të cilat do të reklamojnë në Google shërbimet dhe produktet e tyre. Këto do të ndikojnë në shtimin e punësimit, investimeve të huaja, dhe të hyrave nga taksat në fitim dhe qarkullim të mundësuar nga Google.

Bisedime shtesë të Dr. Asllanit dhe Z. Dervishi me avokatët dhe zyrtarët e Google do të zhvillohen gjatë muajit Dhjetor, 2023. Komunikimi është tejet miqësor, pritjet për zgjedhje të pranueshme për të dy palët janë reale.

Në këtë moment tejet të rëndësishëm të integrimit dhe mbështetjes së gjuhës shqipe nga Google, janë të mirëseardhur të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e ekipit për të kontribuar për këtë çështje me rëndësi ekonomike, financiare dhe kombëtare.