20:15 / E Diele, 03 Janar 2021 / C E

Pagat e larta të lojtarëve/ Dikur luanin sa për bukën e gojës, sot fitojnë banesa

Futbolli në Kosovë, me dekada të tëra është zhvilluar në izolim dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira. Deri në fillim të viteve ’80, shumë pak lojtarë kanë fituar para nga futbolli. Pas luftës së fundit, niveli i organizimit te klubet ka qenë më lartë dhe futbollistët janë paguar në baza mujore.

Megjithatë trendi ka qenë gjithmonë i sheshtë i lakorës, lojtarët janë paguar 200-300 euro mesatarisht në muaj.

Rritja është shënuar në mënyrë drastike pasi Kosova është pranuar në UEFA. Tani paga mesatare është shumëfishuar dhe një futbollist paguhet deri në 100 mijë euro në vit.

Ballkani, disa futbollistëve i ka ofruar një formë tjetër të kompenzimit për shërbime, banesë dhe para. Indeksonline ka kontaktuar me disa futbollistë që kanë luajtur futboll në periudhën para ndërkombëtarizimit të futbollit dhe pas.

Ata shprehen të befasuar me kushtet financiare që klubet kosovare ofrojnë tani. Mensur Duraku, 37 vjeç, me shaka tregon se çfarë i ka thënë presidentit të Ballkanit, Arsim Kabashi gjatë një takimi të rastësishëm.

Para dy vitesh kur isha në Onix, luajtëm miqësore me Ballkanin. Pata një bisedë me presidentin Arsim Kabashi. I thash qysh po i pagunë ti lojtartë me banesa, unë kur jam kon në top formë ta kisha lyp një kompleks (qeshet). Edhe ai u pajtua që janë rritë shumë çmimet. Nuk është niveli i futbollit që lojtartë me pas rrogën 6000-7000 euro” thotë Duraku.

Tutje ish futbollisti i kohës së artë të Besës, flet për pagën e tij që ka marrë gjatë kohës kur ishin shpallur kampion të Kosovës.

Prej vitit 1999 luaj futboll aktiv, si 16 vjeçar kam fillu te Shqiponja. Tash jam duke luajtë në Dardani që garon në Ligën e Dytë. S’kam çka me mshef, kur jemi bo kampionë me Besën, 400 euro e kam pas rrogën, me premia ma së shumti ka shku 1200 euro. Haxhia [Zeka] ka mujtë me pas ma së shumti 500 euro rrogën. Është gjynah, çfarë ekipi kemi pas ne me Besën, 400 euro ka qenë rroga. Kjo nuk është reale, shumë u rritë çmimi, tepër diçka. Me i pas marrë unë këto pare, veç vet e kisha mujtë një ekip” shprehet Duraku për Indeksonline.

Njëri ndër futbollistët me të dalluar ndër vite te Drenica, pas luftës ka qenë Besim Bajraktari. Ai flet për dallimin e kushteve financiare para disa vitesh dhe tani.

Mesatarisht kanë qenë 300 deri në 500 euro. Po foli për klubin ku kam luajtë unë te Drenica. Prej vitit 2001 deri 2015 kanë qenë këto rroga. Unë jam shumë i befasum se nuk ka naj farë ndryshimi, hiç dy – tri ekipe që janë nivel pak ma i naltë. Unë kam dëgju që te Drenica ka lojtar që i merr 1500 euro edhe nuk e lun asnjë ndeshje. Kam informacion poashtu që Drenica ka dhënë paga 2000-3000 euro edhe është veç ma keq që ka qenë përpara” thotë Bajraktari.

Sidoqoftë, ka të tjerë që mendojnë se niveli i futbollit është ngritur, rrjedhimisht pagat duhet të jenë më të mëdha. Erdin Hashani thotë se klubet kanë aspirata të mëdha që të garojnë në Evropë dhe janë të vetëdijshme që duhet të paguajnë më shumë.

Para pranimit në UEFA, një futbollist është paguar mesatarisht 500-600 euro në muaj. Brenda një viti unë kam marrë 12 mijë euro. Tash, rrogat janë rritur sepse interesi i klubeve dhe i pronarëve është më i madh se i nxjerrin ato shpenzime. Poashtu UEFA jep shpërblime për disa skuadra. Niveli është rritë sepse po vijnë lojtarë edhe nga jashtë. Kur ke pretendime për me dalë në Evropë, normal që duhet me pagu ma shumë” thotë Hashani.

Disa klube të Superligës shpenzojnë qindra mijëra euro brenda një viti. Presidenti i Llapit, Beqir Batatina theksoi për Indeksonline se gjatë vitit 2020 ekipi pati shpenzime rekorde. Pavarësisht që nuk arritën synimet për tu bërë kampionë apo të garojnë ne Evropë, skuadra e Batatinës gjatë këtij viti ka shpenzuar afërsisht 1 milion euro.

/Indeksonline/