14:03 / E Hënë, 08 Janar 2018 / indeksADMonline

Pagat e sektorit privat “të lëna” në mëshirë të fatit

Në fund të vitit 2017, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar për herë të parë pagën mesatare për Sektorin Publik (Administrata), Sektorin Privat dhe Sektorin Publiko-Privat në Kosovë të periudhës 2012-2016.

Sipas këtyre statistikave në vitin 2012, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 431 Euro, derisa në vitin 2016 ishte 519 Euro, një rritje prej 88 Eurosh ose 20.42%. Derisa, paga neto nga 384 Euro sa ishte në vitin 2012, u rrit në 457 Euro, me 74 Euro më shumë në vitin 2016, ose 19.17%.

Në sektorin publik, paga bruto në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2016 ishte 525 Euro, duke u rritur për 118, ose 28.95%. Derisa, paga neto nga 353 Euro sa ishte në vitin 2011, u rrit në 449 Euro, një rrije prej 96 Eurosh, ose 27.09%, shkruan Indeksonline.

Sektori privat, në vitin 2012 kishte një pagë bruto mesatare prej 367 Euro, kurse në vitin 2016 kishte 371 Euro, që u rrit me vetëm 4 Euro, ose 1.09%. Derisa, paga neto nga 333 Euro sa ishte në vitin 2011, u rrit ne 337 Euro, me një rrije po ashtu prej vetëm 4 Euro, ose 1.20%.

Në sektorin e ndërmarrjeve publike, paga bruto në vitin 2012 ishte 518 Euro, derisa në vitin 2016 ishte 660 Euro, një rritje prej 142 Eurosh, ose 27.41%. Derisa, paga neto nga 465 Euro, sa ishte në vitin 2011, u rrit në 586 Euro, një rrije prej 121 Eurosh, ose 26.02%.

Sipas të dhënave të ASK-së, niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, thotë se sa i përket pagës minimale në Kosovë aktualisht është e kategorizuar në 130 Euro për të punësuarit deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 Euro për të punësuarit mbi moshën 35-vjeçare.

Në një prononcim për Indeksonline, Beqiri thotë se sipas këtyre të dhënave, del se sekotri privat ka pagën më të ulët dhe se ajo është lënë në mëshirën e fatit.

“Sipas këtyre të dhënave del se sektori privat ka pagën më të ulët dhe është lenë në mëshirën e fatit, dihet që në sektorin privat janë të punësuar mbi 300 mijë qytetarë apo kontribuuesit më të mëdhenj të mbushjes së arkës së shtetit, a në anën tjetër Kryeministri i vendit merr guximin edhe ia rrit vetës pagën dhe shërbyesve të vet, dhe atë në kundërshtim me ligjin. Edhe pse shumica e ndërmarrjeve publike, janë buzë falimentimit ky sektor ende merr pagën më të madhe në vend, pastaj edhe nuk ka efikasitet, kjo dukuri duhet të ndalet sepse Kosova po vuan shumë nga disa grupe kriminale që vetëm dëme po i shkaktojnë vendit”, ka thënë Beqiri.

Por, në anën tjetër, pagat për sektorin publik pritet të rriten edhe më tej.

Kështu ka paralajmëruar vet ministri i Financave, Bedri Hamza gjatë vitit që lamë pas, i cili ka thënë se nga 1 janari 2018 sektori publik do marr pagat me rritje./Indeksonline/