20:17 / E Mërkurë, 10 Prill 2024 / AR

Pahor: Dua të zëvendësoj Lajçakun për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka konfirmuar për agjencinë sllovene të lajmeve STA se është i interesuar për pozicionin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilin ai do të pasonte Miroslav Lajçakun, mandati i të cilit përfundon në gusht.

Ai i tha agjencisë STA se është i interesuar të zëvendësojë Lajçakun.

Paraprakisht, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka deklaruar se e mbështet pa kushte Pahorin në kandidaturën e tij për postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialog

I dërguari special, i cili përveç dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, merret edhe me çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, propozohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme.

Këtë detyrë e ushtron Josep Borrell, dhe vendimin përfundimtar e merr Këshilli i BE-së ose shtetet anëtare.

Pahor është i njohur për avokimin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por edhe për faktin se insistoi në përmbushjen e marrëveshjeve të Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./teve1/