07:28 / E Hënë, 15 Prill 2019 / indeksADMonline

Pakënaqësi brenda të pranishmëve, PDK anulon kuvendin zgjedhor të nëndegës së Klinë së Epërme

Kandidati për kryetar të Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, përmes një shkrimi në Facebook, ka sqaruar se çfarë ka ndodhur gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të brendshme në nëndegën e PDK-së në Klinë të Epërme, ku është raportuar se ka pasur tensione dhe përleshje.

“Sa për sqarim të opinionit, kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve. Në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t’i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri”, shkruan Lushtaku.

Ai ka bërë të ditur se sot janë mbajtur kuvendet zgjedhore në Kllodërnicë, Rakinicë dhe Krasmirofc, ku në këto nëndegë janë zgjedhur kryetarët, delegatët për kuvendin e degës dhe kryesitë e nëndegëve.

“Të gjitha këtyre strukturave u dëshiroj punë të mbarë e suksese në mandatin e ri 4-vjeçar”, shkruan ai.