14:15 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Palmer: ‘Kosova e Re’ ka mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

‘Kosova e Re gëzon mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës`, kështu deklaroi Matthew Palmer, zv.ndihmës sekretari shtetëror për Çështje Evropiane i SHBA-së.

Sipas Palmer, projekti i Kosovës së Re do të sigurojë energji më se të nevojshme dhe pandërprerë për Kosovën si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis. Palmer u shpreh i lumtur që një kompani Amerikane po drejton projektin e Kosovës së Re.

Palmer u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Bankës Botërore për të mos e përkrahur projektin e termocentralit të ri por edhe shumë optimist se Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal do të sigurojnë fondet për ndërtimin e këtij termocentrali.

‘Absolutisht, ne jemi të përkushtuar për realizimin e projektit’, deklaroi ai pas pyetjes se nëse SHBA-të mbështesin Kosovën e Re.

Janë bërë dhjetë vite prej se Kosova kishte filluar procedurat për ndërtimin e termocentralit të ri dhe pas një dekade përshtatjeje me rregullat e Bankës Botërore, e njejta ka dështuar të marrë pëlqimin për ndërtimin e tij.

‘Për Ballkanin, po, ne kemi marrë një vendim shumë të vendosur për të mos shkuar përpara me termocentralin me thëngjill’, kishte thënë Kim Yong Kim, presidenti i Bankës Botërore në lidhje me përkrahjen e Kosovës së Re, ani pse ndërtimi i termocentraleve të bazuara në linjit tani më është paralajmëruar apo edhe ka filluar në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit dhe në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas raporteve të USAID, vetëm bizneset në Kosovë humbin rreth 415 milion dollarë në vit për shkak të furnizimit jo të rregullt me energji elektrike. Këtë e kishte konfirmuar edhe Ambasadori i sapo-emëruar i SHBA-ve në Kosovë, z. Philip Kosnett.

‘Termocentrali 1.4 miliardësh do bëjë ‘revolucion’ në ekonominë e Kosovës’, kishte thënë Kosnett, Ambasadori i ri i SHBA-ve në fjalimin e tij në Senatin Amerikan, pak para ardhjes në Kosovë.

Një dekadë humbje prej rreth 415 milion dollarësh në vit, që në total i bie më shumë se 4 miliardë dollarë, nuk do të ndodhnin sikur termocentrali i ri në Kosovë të ndërtohej në vitin 2008/09.