11:15 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Pamje/Pandemia COVID-19 bashkon Kurtin e Ahmetin, të gatshëm për bashkëpunim

Pas shumë kohësh, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i shkoi për vizitë kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Takimi sipas tyre kishte të bënte me pandeminë COVID-19 dhe veprimet që do të merren ditëve në vazhdim për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

“Unë falënderoj kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për mikpritjen. Diskutuam si mund t’ia dalim nga kjo krizë shëndetësore me sa më pak pasoja e humbje në njerëz. Në këtë moment të rëndësishëm, kur në njërën anë do t’ia bashkëngjisim pakon e rimëkëmbjes ekonomike Pakos Emergjente, por që tash po liberalizohen edhe masat e luftimit, prandaj është e domosdoshme ta shtojmë vigjilencën.

Qytetarët duhet ta mbajnë distancën, pastaj duhet ta ruajnë higjienën personale, mos t’i praktojnë vizitat tek familjarët”, tha Kurti.

Ai tha se si qeveri në detyrë do të bashkëpunojnë me të gjitha komunat e në veçanti me Prishtinë.

Ndërsa, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh të jetë i kënaqur me takimin që pati.

“Ne nuk i caktojmë prioritetet e qeverisë, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrin Vitia, dhe mund të them që jam i kënaqur me vizitën e Kurtit në komunë rreth kësaj çështjeje.

Në përgjithësi do të duhej të ishim të shqetësuar me situatën ekonomike dhe institucionet të koordinohen për menaxhimin e kësaj situate.

Natyrisht s’mund të them që s’njihemi me Albinin, ne jemi të gatshëm për rihapje të bizneseve edhe më tej, por IKSHPK na tregon se cilat masa duhet t’i ndërmarrim dhe ne i kemi zbatu me përpikëri ato, për neve është me rëndësi jeta e qytetarit”, tha Ahmeti./Indeksonline