14:15 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Pandemia Covid-19, i harxhoi shumë para Prishtinës, 10 tenderët e finalizuar brenda pak muajsh

Bazuar në raportet e IKSHPK-së, Komuna e Prishtinës thuajse vazhdimisht ka dalë e para sa i përket numrit të të infektuarve me Covid-19.

E lidhur me këtë nuk është se kanë munguar iniciativat, për masa mbrojtëse.

Gjatë këtyre muajve, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontrata të ndryshme, kjo me qëllim që të merreshin masat e duhura për luftimin e kësaj pandemie.

Kështu, pak ditë më parë Komuna e Prishtinës ka finalizuar një tjetër kontratë, që ka të bëjë me pandeminë Covid-19.

Kontrata “Furnizimi me maska dhe dezinfektues” i ka kushtuar 3 mijë e 179 euro dhe tenderi i është dhënë operatorit ekonomik “Getno L.L.C”, shkruan IndeksOnline.

Për furnizimin e njëjtë, bëhet me dije se tenderi me çmimin e përgjegjshëm më të lartë ka qenë 9 mijë e 90 euro.

Ndërkohë që gjatë muajit gusht, komuna ka bërë një tjetër furnizim me reagensa serologjike për Sars Cov2- emergjente.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 60 mijë euro, porse ajo është kurorëzuar për 58 mijë e 380 euro.

Tenderi në fjalë i është dhënë “Biotek Kosovo” L.L.C.

Sipas prokurimit, në muajin shtator, Komuna e Prishtinës ka bërë një tjetër furnizim për punëtorët shëndetësorë në luften kundër Covidit-19.

Për po të njejtën kontratë, Komuna e Prishtinës ka paguar 81 mijë e 860 euro.

Po në muajin korrik, komuna e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti ka arritur të nënshkruante dy kontrata të reja.

Tenderi “Furnizim me reagensë serologjikë për Sars- Cov2 për nevojat e Komunës së Prishtinës”, u ka kushtuar 55 mijë e 600 euro.

Marrëveshja për po të njejtin furnizim është finalizuar me kompaninë “Biotek Kosovo” L.L.C.

Për po të njëjtin furnizim është finalizuar edhe një tjetër kontratë në vlerë 59 mijë e 100 euro.

Ndërkohë në muajin maj, komuna ka bërë furnizim me rroba mbrojtëse shumëpërdoruese për siguri të punëtorëve të pastrimit dhe të dezinfektimit në fazën emergjente.

Operatori ekonomik “Safir- Com” Sh.P.K, për tenderin e sipërpërmendur është paguar 4 mijë e 550 euro.

Tuneli dezinfektues për QKMF-në, i ka kushtuar Komunës së Prishtinës 6 mijë euro, i cili i është dhënë kompanisë “Team8” Sh.P.K.

Në muajin prill, komuna ka bërë një tjetër furnizim me dezinfektues për tunelin dezinfektues.

Tenderi i është dhënë operatorit ekonomik “Dezinfektimi AD” Sh.P.K, për  4 mijë e 500 euro.

Po në muajin e njëjtë, komuna pati bërë furnizimin me dezinfektues për banorët e hyrjeve të objekteve të reja banesore, tender që i kushtoi 2 mijë e 400 euro.

Më 27 prill të këtij viti, prokurimi pati bërë publik një tjetër tender të kurorëzuar nga Komuna e Prishtinës, që lidhej me pandeminë Covid-19.

Dezinfektimi i hyrjeve të objekteve të reja banesore, i ka kushtuar hiç më pak se 15 mijë e 599, 95 euro./IndeksOnline/