12:48 / E Enjte, 08 Tetor 2020 / indeksADMonline

Pandemia ndërpret xhirimet e filmit “Jurassic World”

Industria e filmit po punon në kushte të vështira për shkak të pandemisë së koronavirusit.  Prodhimii  “Jurassic World Dominion” nga Universal Pictures është pezulluar për dy javë pasi disa pjesëtarë të setit dolën pozitivë me  COVID-19. Lajmin e konfirmoi nëpërmjet një postimi në  Twitter  regjisori Colin Trevorrow.

“Të gjithë të tjerët rezultuan negativë pak më vonë,  por për shkak të protokolleve tona të sigurisë ne do të bëjmë një pauzë për dy javë,” shkroi Trevorrow.

Xhirimet e filmit aventurë të dinozaurëve rinisën në Angli në korrik nën protokolle të rrepta për grupin dhe ekipin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Prodhimi ishte ndërprerë në mes të marsit për shkak të pandemisë, e cila pezulloi projektet filmike dhe ato në televizione në të gjithë botën.

Trevorrow nuk identifikoi se kush ishte testuar pozitivisht midis pjesëtarëve të ekipit që përfshin yje si Chris Pratt dhe Bryce Dallas Howard.

Kjo është hera e dytë që në një film të madh të Hollivudit ndalohen xhirimet për shkak të pandemisë. Prodhimi u mbyll për dy javë në fillim të shtatorit në filmin “The Batman” pasi aktori  Robert Pattinson rezultoi i prekur nga COVIDI-19.

Ndërprerja e xhirimeve ka bërë që studiot e filmit të riorganizojnë datat e shfaqjes në kinematë botërore, në kushtet kur kriza ka prekur edhe këto të fundit. Premiera e “Jurassic World: Dominion” pritet të shtyhet deri në qershor të  2022-s.