12:59 / E Hënë, 29 Mars 2021 / AR

Pandemia sfidë, por edhe mundësi për krijime të reja

PhD.Cand Blerta Haliti Baruti

Ekonomia globale ka filluar të zgjohet përsëri, pavarësisht vuajtjeve dhe pasojave që shkaktoi kjo pandemi. Këto pasoja nuk kanë mbaruar ende sepse pandemia është shkaktar zingjiror me shumë efekte negative në të gjitha aspektet e jetës. Një mendim i thënë nga ekonomisti Joseph Schumpeter dhe e rithënë nga shumë të tjerë, Pandemia Covid 19 është një ftesë për atë që e quajti “shkatërrim krijues”, një shans për të likuiduar investime të vjetruara dhe për të krijuar diçka të re, më të mirë dhe më të qëndrueshme. Jo rastësisht po e citoj Schumpeter, sepse është përshtatur me mendimin tim, që njerëzimi nuk përparon në një mënyrë të ekuilibruar, përkundrazi njerëzimi fshihet nga një ekstrem në tjetrin ku, secili ekstrem prodhon reagimin e tij, në këtë rast ky virus nxjerri në pah shumë prioritete tjera dhe shtoi rëndësinë e sistemeve informative/teknologjisë.  

Për këtë episod të Ekonomisë Reale, mund të flasim gjatë sepse kemi një krizë që munt ta quajmë afatshkurtër dhe afatgjatë në duart tona. Në planin afatshkurtër, ne rrezikuam dhe vazhdojmë të rrezikojmë nga ajo që disa analistë e quajnë Depresioni i Tretë i Madh Botëror. Në planin afatgjatë, rreziku është i rraskapitjes së tolerancës së natyrës për zakonet tona të shthurura, gjë që po ndodhë, shumë falimentime të firmave, shumë vdekje, shumë vetëvrasje, shumë të papunë…Që ta tejkalojmë këtë situatë duhet që të përfshijmë masat e rimëkëmbjes pandemike në një strategji afatgjatë për një mënyrë të qëndrueshme të jetës, nuk do të them rritje, sepse rritja siç e kuptojmë mund të mos jetë e qëndrueshme, duke pas parasysh që ende ka kërcënim afatshkurtër për vendet e punës dhe jetesën. Por ende pjesa më e madhe e Evropës fillimisht është në një sistem të mbështetjes së jetës dhe më pas ekonomisë. Një sinjal shpresëdhënës është fakti se gjatë vitit 2021, krahas imunizimit me vaksinën antikovid, pritet një rikthim i ekonomisë globale me një rritje prej mbi 5%, kjo sipas rishikimeve që i kanë bërë institucionet ndërkombëtare. Mirëpo, për shumë vende të botës, e sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë zhvillim më të ulët ekonomik, kjo rritje nuk do jetë e mjaftueshme për t’u rikthyer në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe aktivizimin e plotë të potencialit zhvillimor të para krizës së shkaktuar nga pandemia.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe raportit të fundit nga Ministria e Financave po ta përmbledhim vitin 2020, shihet që ekonomin e Kosovës kishte rënie rreth 7.25% në terma real. Rënia reale e aktivitetit ekonomik i atribuohet kryesisht kontributit negativ të eksportit të shërbimeve prej 25 % dhe investimeve të cilat patën kontribut negativ prej 2.96 %. Ndërsa konsumi total shënoi kontribut pozitiv gjatë tremujorit të tretë prej 12.55%, poashtu edhe konsumi privat shënoi kontribut pozitiv si rezultat i rritjes së konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve ku, impakt tjetër pozitiv pat edhe ligji i rimëkëmbjes (kryesisht tërheqja e 10% të kursimeve pensionale nga Fondi Pensional i Kursimeve të Kosovës). Prandaj është shumë me rëndësi sistemi ekonomik që do të ndërtojmë pas kësaj pandemie, do të duhet të jetë më afatgjatë, më elastik dhe më i ndjeshëm pasi shpresat për një rimëkëmbje në formë V janë ende në pritje. Tashmë e gjithë bota po presin fundin e pandemisë së koronavirusit në mënyrë që ti kthehemi normalitetit. Por virusi nuk është më problemi kryesor, është fragmentimi i ekonomisë i prodhuar nga një periudhë e zgjatur dhe e vazhdueshme e mos punës që do të vështirësoj shërimin ndër vite.