75 Mall Live Search
10:31 / E Premte, 10 Korrik 2026 / P M

Panik në fluturimin e “Ryanair”-it nga Selaniku drejt Mynihut/ Probleme në motorin e avionit, një dritare thyhet në ajër, plagoset një 61-vjeçar

Momente paniku përjetuan pasagjerët e një fluturimi të mëngjesit të kompanisë “Ryanair”, që ishte nisur nga aeroporti “Maqedonia” i Selanikut me destinacion Mynihun.

Sipas informacioneve paraprake, pak minuta pas ngritjes, në një lartësi rreth 6.000–6.500 këmbë, u shfaq një problem teknik në njërin nga dy motorët e avionit.

Ekuipazhi aktivizoi menjëherë procedurat e emergjencës dhe piloti vendosi të kthehej në aeroportin e Selanikut, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt.

Në të njëjtën kohë, pasagjerët raportojnë se gjatë fluturimit u dëgjua një zhurmë e fortë dhe u dëmtua një dritare e avionit, duke shkaktuar dekompresion të kabinës. Maskat e oksigjenit ranë automatikisht, ndërsa pasagjerët ndihmuan një pasagjer që ndodhej ulur pranë dritares së dëmtuar.

Pas uljes së avionit, një ambulancë e EKAB-it (ndihma e shpejtë) mori pasagjerin e plagosur dhe e transportoi në spitalin AXEPA të Selanikut. Bëhet fjalë për një shtetas serb, 61 vjeç, i cili pësoi dëmtim në qafë.

Pasagjerët u nisën më vonë drejt Mynihut me një avion tjetër, ndërsa autoritetet dhe kompania ajrore po hetojnë shkaqet e incidentit.