21:12 / E Hënë, 19 Mars 2018 / indeksADMonline

Para seancës, dilema rreth votimit të demarkacionit

Në seancën e nesërme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pritet të marrë fund çështja e demarkacionit.

E gjithë kjo pasi që krerët e institucioneve në vend janë shprehur optimist si dhe të sigurt në arritjen e sigurimit të votave pro-demarkacionit.

Me fillim nga ora 16:00 nesër pritet që në Kuvend, deputetët t’i japin epilog marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, si një ndër kushtet që Kosova duhet plotësuar për të ecur para në rrugëtimin e liberalizimit të vizave.

Por, skeptik në sigurimin e votave është shprehur analisti, Donik Sallova.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se qeveritarët disa herë janë prononcuar se votat janë siguruar, por nuk dilte të jetë e vërtetë. Andaj, sipas tij edhe këtë herë mund të mos jetë kështu.

“Nga përvoja e muajve dhe viteve të kaluara kemi parë që edhe pse është thënë që qeveria i ka votat për ta votuar demarkacionin në fund ka dështuar një gjë e tillë. Prandaj, edhe nesër mbetet për tu parë kjo punë. Vetëm kur të jetë votuar demarkacioni do të bindemi se qeveria i paska pasur votat”, tha Sallova.

Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të vizave, Sallova ka thënë se BE mund të vazhdojë ta prolongojë këtë proces, në varësi të luftimit të korrupsionit.

“Ka mundësi që BE ta prolongojë edhe më tutje liberalizimin e vizave në varësi te luftimit te korrupsionit nga qeveria, sepse po u liberalizuan vizat, qeveria e Kosovës për disa vite do jetë e çliruar nga detyrimi për ta luftuar korrupsionin. Prandaj, nuk jam i bindur që BE do t’i shpërblejë elitat e korruptuara duke ua dhënë një kartë të fortë siç është liberalizimi pa dhënë rezultate antikorrupsion”, përfundoi Sallova./Indeksonline/