21:34 / E Diele, 11 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shpend Ahmeti kritikohet nga analistët, e quajnë inatçor e kryetar pa legjitimitet

I pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti mori vendim për shkarkimin dy drejtorëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Arben Vitia është shkarkuar nga udhëheqja e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale si dhe Nora Kelmendi nga Drejtoria e Kadastrës në Komunën e Prishtinës.

Të dy drejtorët e shkarkuar janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi i Ahmetit dhe veprimin në fjalë e kanë quajtur të pabazë. Të njëjtit kanë deklaruar se për vendimin në fjalë nuk ishin njoftuar dhe se nuk kishin marrë ndonjë sqarim.

Kësisoj janë shprehur edhe analistët politik në vend. Madje sipas tyre lidhur me këtë vendim dhe veprimet e tjera që së fundi bëri Shpend Ahmeti, partitë opozitare në Komunën e Prishtinës duhet të kërkojnë shkarkimin e tij.

Lidhur me këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar analistin politik, Haki Abazi. Me këtë rast Abazi ka theksuar se vendimi për të shkarkuar dy drejtorët e Vetëvendosjes tregon pamençurinë shumëdimensionale të kryetarit të Prishtinës.

“Ai tregohet inatçor e fëmijëror, kalkulativ për interesa personale dhe i verbër se çfarë është duke bërë me votën e qytetarëve. Votuesi i Prishtinës ka votuar për Shpendin për shkak se nuk ka dashur në asnjë formë të vijë PDK-ja në pushtet, përderisa ishte krijuar një klimë që LDK ka qeverisur gjatë me Prishtinën”, ka thënë Abazi.

Sipas të njëjtit, Shpend Ahmeti pa Vetëvendosjen do të kishte arritur të marrë vetëm pesë përqind, ashtu siç mori përderisa ishte në FER.

“Në vend se të respektohet puna e vetë që është bërë në këtë mandat e ajo është një vazhdimësi e mandatit të parë ku Arben Vitia kishte kthyer mbarë sistemin primar shëndetësorë dhe Nora Kelmendin kishte vende rend në kadastër. Kryetari i Prishtinës nga inati dhe mëria e dështimeve të tij nuk dëshiron që potencialisht suksesi i Arben Vitisë ta bëjë atë kandidat për kryetar të Prishtinës.Në anën tjetër të gjitha përplasjet poashtu fëmijërore që ka pasur me PDK-në në mandatin e parë dhe me arsyetimin se nuk e ka shumicën e asamblesë, ai pikërisht ka goditur pikën më të fortë që ka pasur në mandatin e dytë, ky pasinqeritet në mënyrë retroaktive tregohet kur ka dashur të manipulojë me qytetarët duke shkruar letra dhe duke tentuar kinse të luaj rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet të larguarve nga LVV”, ka shtuar Abazi.

Sipas analistit politik Abazi, kishte një numër të madh njerëzish që kanë besuar në këtë lojë e që në prapaskenë sipas tij njeriu që ka përgatitur goditjen ndaj VV-së ishte vetë Ahmeti.

“Kjo është loja e tij, pas shpine pa asnjë princip. Halli i tij është si të bëhet i pasur sikur edhe politikanët tjerë në Ballkan, halli i tij nuk është as qyteti e as qytetari. Në fakt mendoj që tani ai meriton që t’i ngritet padi për dy fëmijët e vrarë, sepse tentimi për të luajtur lojëra të pista tregon se ai ka neglizhuar rolin dhe detyrën e përgjegjësitë e tij si kryetar dhe si pasojë fëmijët sot janë të vdekur. Nuk duhet pritur që kjo gjë të përsëritet përderisa ai është i zënë duke zier lojëra të pista. Në fakt një mocion i LVV bashkë me LDK-në do të ishte i mirëseardhur që të mos degradohet edhe më tutje qyteti dhe pozita e kryetarit të kryeqendrës. Pas miratimit të ligjit për kryeqendrën dhe rritjes së madhe të buxhetit nuk duhet lejuar që PDK, që kurrë nuk ka marr vota në Prishtinë të instalohet ndërmjet Shpend Ahmetit dhe planeve të tij të sëmura”, ka përfunduar Abazi.

Thuajse i të njëjtit qëndrim ka qenë edhe analisti politik, Donik Sallova, i cili vendimin e Ahmetit për largimin e dy drejtove nga radhët e Vetëvendosjes e sheh si veprim të ndërmarrë nga një kryetar pa legjitimitet.

“Tashmë Shpend Ahmeti është një kryetar pa legjitimitet demokratik të pushtetit të tij, sepse ai përveç që ka tradhtuar subjektin politik përmes të cilit u zgjodh kryetar, pra Vetëvendosjen, duke formuar parti të re, PDK, ai duke i shkarkuar drejtorët e VV-së e ka deformuar tërësisht vullnetin e elektoratit të Prishtinës. Ahmeti nuk duhet të harrojë se vota për të si kandidat i VV-së është dhënë veçanërisht për të pamundësuar ardhjen e LDK-së dhe PDK-së në pushtet.Prandaj përfshirja e këtyre  partive do të jetë një tradhti dhe devijim i paprecedent i vullnetit politik të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Sallova për Indeksonline.

Sipas Sallovës, Ahmeti mund të bënte koalicion me këto parti në një tjetër rrethanë, por jo në rrethanën kur votuesi i tij është antivotues për këto parti.

“Puna e tij natyrisht që do të pengohet, madje unë mendoj që VV duhet të fillojë iniciativën për shkarkimin e Ahmetit, sipas mundësive që ofron ligji”, ka përfunduar ai.

Kurse vetë Shpend Ahmeti sot ka deklaruar se shkarkimi i drejtorëve ka ardhur pasi që situata në relacion me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë e paqëndrueshme dhe se ata kanë vazhduar me sulme të njëpasnjëshme./Indeksonline/