09:44 / E Hënë, 18 Janar 2021 / k.v

Paraburgoset i dyshuari për tentim vrasjen e ndodhur në Klinë

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për krime të Rënda, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.T. për shkak të dyshimit të bazuar se: Të pandehuritt L.T. dhe S.T. më 14.08.2020, rreth orës 21:34, në Klinë, te parku i lojërave, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të çastit dhe përleshjes fizike midis të të pandehurve dhe të dëmtuarve, të pandehurit kanë tentuar që të privonin nga jeta të dëmtuarit në atë mënyrë që, të pandehurit gjatë përleshjes nxjerrin thikat dhe godasin të dëmtuarit duke u shkaktuar lëndime trupore, të cilat në momentin e shkaktimit ishin të rrezikshme për jetën e pastaj ikin nga vendi i ngjarjes. Ndërsa të dëmtuarit dërgohen në spital me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë.

Me këto veprime të pandehurit S.T. dhe L.T. dyshohet se kanë kryer veprën penale: “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173 par.1 pika 1.11 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

“Të pandehurit S.T. i është caktuar masa e paraburgimit më 16.08.2020 ndërsa, i pandehuri L.T. ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë deri më 15.01.2021 kur është arrestuar dhe është sjell para gjykatës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do procedohen të dy të pandehurit të cilët janë vëllezër, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se ata mund të koordinojnë dhe harmonizojnë mbrojtjen e tyre si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarë për ndryshimin e deklaratave të tyre. Kjo me qëllim të shmangies apo zbutjes së përgjegjësisë penale si dhe të ndikojnë te të dëmtuarit dhe dëshmitarët e tjerë, të cilët ende nuk janë procedura, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën në të cilën është kryer dhe fakti i kryerjes së veprës penale në një vend ku në momentin e kryerjes kanë qenë të grumbulluar një numër i madh i njerëzve, si dhe duke pas parasysh raportet e acaruara me të dëmtuarit, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, ai mund të përfundonte veprën e tentuar penale apo të kryente ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Gjykata vlerësoi edhe masat e tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë, mirëpo vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.