14:34 / E Shtunë, 20 Janar 2018 / indeksADMonline

Paragjykim e mendim

Shkruan: Florent Rrahmani

Në vazhdimësi flitet kudo dhe kurdo për lirinë. Për të gjitha llojet e lirisë, posaçërisht për lirinë e mendimit dhe lirinë e shprehjes, porse rrallë, madje tepër rrallë, flitet për mendimin e lirë në mendësinë tonë rajonale.

   Përditshmëria kuptimëson përhershmërinë, porse këtë e bën shpeshherë nëpërmjet paragjykimit si paraprijës ose parahyrje në mendim. Kjo është e dëshmuar në ambientet tona, në çdo fushë. Çfarëdo që të jetë, mendimi s’mund të jetojë a të zhvillohet si i lirë, po qe se nuk është i tillë në vetvete, pavarësisht se a ekziston liria e mendimit.

Kanti thoshte: “Mendimi i lirë, mendimi i çliruar, mendimi i lirë nga mendimi, është mendimi autonom”. Në këtë rast, lind pyetja: A ekziston ky mendim i lirë nga vetë mendimi brendapërbrenda shoqërisë sonë? Nëse po, si zhvillohet e shfaqet? Nëse jo, pse jo? A ka ekzistuar ndonjëherë, pse s’ka ekzistuar, nëse ka ekzistuar kush ia pamundësoi ekzistencën e mëtejme, çfarë e zëvendësoi atë?

Në gjithë mungesën e kësaj lirie të mendimit, na përcjellë kërkesa që çon drejt paragjykimit si para-mendim, si hyrje në mendim; në mendimin e kontrolluar, natyrisht, dhe jo në atë të lirë, ku shtrohet nevoja e autonomisë së mendimit nga vetë mendimi.

Të krijosh një mendësi të gjykimit të drejtë, do të thotë të krijosh dije, ngase dija mundëson lirinë e mendimit. Ёshtë kjo dija e bazuar në argument, në qëndrueshmërinë e tij dhe jo në paragjykim;, për këtë, sipas Kantit, nuk ka rrugë tjetër përveç ndriçimeve, ku udhëheq arsyeja. Prandaj dhe çdo rrugëtim individual apo edhe kolektiv i argumentit duhet të ketë për stacion të vetin rishikimin dhe destinimin e këtij rrugëtimi që nis nga dija dhe përfundon tek liria, meqë “nuk është dija e lirë produkti i lirë i diturisë, por është dituria ajo që prodhon liri” (Kant).

Mendimi i lirë vetvetiu kufizon lirinë e paragjykimit, e si rrjedhojë edhe atë të shprehjes. Përmes vetë shprehjes së lirë, e ruajmë dhe e kultivojmë mendimin e lirë dhe lirinë e mendimit, kurse me mendimin e lirë e ruajmë dhe e kultivojmë shprehjen e lirë dhe lirinë e shprehjes.

Çka prodhon sot mendimi të cilit i paraprin paragjykimi? Jo më shumë se një mjegull shoqërore e cila nuk di ku nis e ku sos, duke lënë në pikëpyetje e në hamendje çështje tejet të rëndësishme me të cilat është i lidhur kuptimi dhe keqkuptimi, nëpërmjet një mungese të njohjes krejtësisht elementare.

Pushteti medial po pushton çdo ditë e më shumë hapësirën sociale e kulturore dhe gjithë ky pushtet padyshim se prodhon refleksion brenda një shoqërie. Rrjedhimisht, kjo duhej të prodhonte të paktën liri të mendimit pra edhe mendim të lirë. Vetëm duke mundësuar lirinë e mendimit do të zbehej fuqia e paragjykimit që krijon percepcion social, kulturor e politik, pamundëson njohjen dhe gjykimin real mbi realitetin e krijuar, me apo pa lirinë e mendimit.

Paraprijës të mendimit të robëruar nga vetë mendimi, jemi të gjithë, me apo pa vetëdije. Pavarësisht synimeve, nuk kemi arritur të krijojmë terren të lirisë së mendimit, sepse kemi prodhuar mendim krejtësisht të lirë e të bazuar mbi vetë paragjykimin. Edhe keqkuptimi që i bëjmë lirisë, s’do t’i kushtojë askujt më shumë se sa vetë asaj. Padyshim se kemi nevojë edhe për më shumë liri, liri për ta ruajtur vetë lirinë. Sipas Popperit, “kemi nevojë për lirinë, me qëllim që ta parandalojmë keqpërdorimin e forcës së shtetit dhe kemi nevojë për shtetin, me qëllim që ta parandalojmë keqpërdorimin e lirisë”. Dhe kur të dyja sfidohen nga paragjykimi, ato sillen në një qark të domosdoshmërisë për reflektim a ndryshim, duke përfunduar në pamundësinë e ndihmës reciproke. Kjo prodhon krizën e lirisë e të mendimit; të dyja bashkë prodhojnë krizë shoqërore. Pa një liri të dinjitetshme dhe pa një mendim dinjitoz, shoqëria do udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga paragjykimet, të cilat sjellin krizë në lirinë e mendimit. Por, kjo krizë, sa rrjedh nga paragjykimi, plotësohet edhe nga liria e të shprehurit lirshëm.

Teknologjia, ka vënë në sprovë të madhe lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe mendimin e lirë. Këtë e ilustron fakti se për aq sa ka informata ka edhe dezinformata, për aq sa ka liri dhe hapësirë të shprehjes intelektuali, po të njëjtën e ka edhe secili që dëshiron të thotë çkadoqoftë. E tërë kjo hapësirë e madhe e shprehjes, e gjykimit, e paragjykimit, e mendimit, e vlerësimit ka një stacion orvatjesh të individit për të gjetur një kufi të dallueshmërisë midis mendimit të lirë dhe lirisë së mendimit, midis gjykimit dhe paragjykimit.

Të ndodhur në këtë mes, duhet të njohim dhe të dallojmë domosdoshmërinë për mendim të pastër e të pasur, të lirë, dhe lirisë së mendimit për të prodhuar më tej rrafshin e gjykimit dhe jo atë të paragjykimit. Kësisoj krijojmë rrethana për mendim pa paragjykim, duke përjashtuar paragjykimin si paraprijës të mendimit.

Duke e ruajtur mendimin nga vetë mendimi dhe lirinë nga vetë liria, jo se i zhvillojmë ato edhe më, por krijojmë parakushte të zhvillimit të përgjithshëm social-kulturor e politik brenda vetë shoqërisë; kjo bëhet duke shmangur parahyrjet e paragjykimet.