11:01 / E Shtunë, 11 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Paralajmëroi skandale në Komunën e Podujevës, Blend Zymi i “drejton gishtin” Drejtorisë së Urbanizmit! (Dokument)

Ditën e djeshme, Blend Zymi së bashku me Visar Gecin, përmes postimeve në rrjete sociale kanë paralajmëruar disa skandale që sipas tij kanë ndodhur në Komunën e Podujevës, përkatësisht në Drejtorin e Urbanizmit nga drejtori i këtij dikasteri, Leutrim Krasniqi.

E gjithë kjo bëhet fjalë për ndërtimin e shtëpizave malore tek Liqeni i Batllavës.

Për të ndërtuar diçka tek kjo pjesë e Podujevës, duhet leja nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore qe është dikaster ne Ministrin e Mjedisit.

Para se kjo leje të lëshohet, këtij autoriteti i intereson Plani Urbanistik i Komunës përkatëse, se a do të shfrytëzohet ajo pjesë për ndonjë projekt nga Komuna e Podujevës.

Blend Zymi, për IndeksOnline, ka treguar se ka pyetur Komunën e Podujevës ‘’Informatë mbi Planin Urbanistik “, për tu informuar se a ka komuna ndonjë projekt në atë zonë.

Sipas tij, përgjigjja e kthyer nga Komuna nuk kishte asnjë lidhje me atë se çfarë i kanë pyetur.

“Kur ja kemi bo pyetjen na kanë kthyer përgjigje qe lidhje nuk ka pas me pyetjen tone. Mandej pasi kemi fol gojarisht me ta ne komunë, na kanë jep përgjigje tjetër. Mbas 3-4 dite, me datën e njëjtë me numër protokolli të njëjtë, por përgjigje ndryshe”, tha ai.

Më tej, Zymi shtoi se këto përgjigje kanë qenë tendencioze, pasi që përgjigjet e tilla nuk i plotësojnë kushtet për aplikimin e lejes së ndërtimit dhe ‘gisht’ në këtë ka Leutrim Krasniqi, Drejtor i Urbanizmit.

“Kjo ka qene tendencioze qe mos me mujt ne me apliku në Ministri sepse ajo përgjigje nuk i plotëson docx për me apliku për kushte te ndërtimit. E krejt këtë  e ka bo drejtori urbanizmit Leutrim Krasniqi”, deklaroi Zymi.

IndeksOnline ka siguruar dokumentet ku Blend Zymi thotë se këto dokumente janë nxjerrë në ditë të ndryshme por kanë datat dhe numrin e protokollit të njëjtë. /IndeksOnline/