Parandalohet sulmi me bombë në dyert e një banke në Paris, policia kap autorin teksa bënte gati aktivizimin e saj
Policia franceze ka arritur që të parandalojë një shpërthim me bombë jashtë një banke amerikane në Paris.
Në pranga ka rënë një burrë, i cili sipas mediave franceze, ishte gati duke aktivizuar bombën artizanale pranë institucionit bankar.
Incidenti ndodhi rreth orës 3:30 të mëngjesit, ndërsa policia arriti që ta neutralizonte autorin menjëherë, transmeton TCH.
Zyra e prokurorit kundër terrorizmit në Francë tha të shtunën se po hetohet për “tentativën e dëmtimit me zjarr ose mjete të tjera të rrezikshme në lidhje me një sipërmarrje terroriste” dhe një “komplot kriminal terrorist”.
Si policia gjyqësore e Parisit ashtu edhe shërbimi i inteligjencës së brendshme të Francës, Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme (DGSI), janë të përfshirë në hetim.

