Partia e re e Molliqajt dhe Ymerit? Deklarohen disa deputetë (Dokument)
Dorëheqjet e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje kanë krijuar aludime se një parti e re do të dalë nga ish-anëtarët e këtij subjekti.
Një listë është publikuar dje në media ku gjendeshin emrat e disa prej figurave të Vetëvendosjes të cilët do të “formojnë” partinë Social Demokrate.
Në mesin e tyre ishte emri i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, Aida Dërgutit, Dardan Molliqajt, Shqipe Pantinës, Donika Kadajt, Salih Salihut, Frashër Krasniqit, Faton Topallit, Saranda Bogujevcit, Qëndron Kastratit, etj.
“Indeksonline” ka provuar të kontatojë me disa prej tyre, mirëpo të njëjtit nuk kanë shprehur dëshirë t’i komentojnë këto raportime. Ishte deputeti Salih Salihu i cili është shprehur i befasuar me listën e publikuar, e në të cilën bënte pjesë edhe ai.
“Jo jo, unë u befasova kur e pashë emrin, sepse ende nuk kam marrë asnjë vendim, jam akoma në Lëvizjen Vetëvendosje. U habita kur i pash emrat”, ka thënë ai.
Redaksia ka kontaktuar me Qëndron Kastratin, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë lidhur me këtë çështje.
“Krejt çka lidhet me këtë temë, nuk dua të prononcohem”, ka thënë ai.
Ndryshe, në dokumentin e publikuar nga RTK-ja paraqitej ndarja në këtë parti tashmë me emra dhe mbiemra, ndonëse zyrtarisht ende nuk ka ndonjë deklarim. Sipas televizionit publik grupi i të dorëhequrve në VV pritet që shpejt të zyrtarizojë formimin e një subjekti të ri politik. /Indeksonline/