22:01 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Partitë politike deri më tani iu detyrohen 14 mijë euro shtetit për thyerje të rregullave anticovid

Partitë politike në Republikën e Kosovës iu detyrohen shtetit 14 mijë euro pasi nuk respektuan masat antiCovid për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, shkruan IndeksOnline.

Në bazë të këtij ligji, “personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dënohet me gjobë prej dy mijë euro dhe ndalimin e aktivitetit, ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë dy mijë euro”.

Që nga 11 janari 2021 deri më tani janë dënuar 7 subjekte politike të cilat nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e shpërndarjes së virusit.

Inspektorët në komunën e Prishtinës kanë dënuar partitë me nga 2000 euro, ku të njëjtat detyrohen të paguajnë 14 mijë euro gjithsej.

Sipas të dhënave, Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar tri herë, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës janë dënuar nga një herë.

Në bazë të vendimit të ri të Ministrisë së Shëndetësisë në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër më shumë se 30 persona, shkruan IndeksOnline.

Ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike e qendra rekreative dimërore lejohet grumbullimi deri në 50 persona. /IndeksOnline/