22:00 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

Pas deklaratave të Dodikut, Pacolli merr vendim për vizitën në Bosnjë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë sonte se e ka anuluar pjesëmarrjen në një samit në Banja Llukë të Bosnjës pas paralajmërimeve të Presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, se nuk është i mirëpritur në këtë qytet.

Në një shkrim të lëshuar të hënën në mbrëmje, Pacolli i quajti “kërcënime” deklaratat e Dodikut.

“Sapo kam anuluar pjesëmarrjen time në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore për shkak të këcënimeve nga Presidenti i Repulikës serbe të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili sot në një intervistë për një medium ka deklaruar se unë dhe delegacioni im nuk jemi të mirëseardhur në Banja Llukë”,tha Pacolli.

“Me politikan si Dodik rajoni nuk mund të ecën pērpara. Gjuha kërcënuese e Dodikut na kujton një të kaluar të afërt të politikanëve radikal, si ky vet dhe pasojat e këtyere kërcënimeve. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal, ndërsa ftoj zyrtarët e BE-së, sidomos ata në Komisionin Evropian që të mos heshtin ndaj këtyre fenomeneve”, shtoi ai.

Më herët, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka dënuar vizitën e paralajmëruar për këtë javë në Bosnjë të ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Pacollit, për një takim të bashkëpunimit rajonal./Indeksonline/