21:11 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pas dështimit në INTERPOL, vije një lajm i keq për vizat!

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë vendosur liberalizimin e vizave për Kosovën në rendin e ditës të takimit të muajit të ardhshëm të ministrave të tyre, thanë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Një burim diplomatik i një vendi anëtar të bllokut evropian në Bruksel tha për dtt-net.com se në projekt-rendin e ditës të takimit të 6 dhe 7 dhjetorit të ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk figuron.

“Diskutimet ende po mbahen në nivel teknik. Projekt-rendi aktual i ditës nuk e përfshinë liberalizimin e vizave”, ka thënë për dtt-net.com diplomati i cili kërkoi që të mos identifikohet për publikun.

Në korrik të këtij viti Komisioni Evropian (KE) iu pat propozuar vendeve anëtare të BE-së që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, meqë vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.

Në shtator këtë propozim të KE-së e përkrahu edhe Parlamenti Evropian (PE), por shumica e qeverive anëtare të bllokut evropian tash po frikohen se heqja e vizave për Kosovën dhe jehona mediatike që ky vendim do të kishte tek opinioni i tyre publik do të ishte i keq dhe do të ndikonte negativisht për partitë e tyre politike në prag të zgjedhjeve të PE-së, të cilat mbahen në maj.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, të cilit BE-ja nuk ia ka hequr vizat për udhëtim 3 muajsh në zonën Schengen.

Vizat iu janë hequr Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009 ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës një vit më vonë. /KosovaPress/

 

Temat: