19:26 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Pas kërcënimit për “Paradën e Krenarisë”, Policia ndërmerr masa radikale të sigurisë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për Paradën e Krenarisë e cila do të mbahet nesër, kanë hartuar një plan operativ.

Më herët në adresën e mediave kosovare ka ardhur një kërcënim për të gjithë ata që marrin pjesë në këtë organizim, duke paralajmëruar “zhdukjen e tyre”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka deklaruar për lajmi.net se Policia merr në konsideratë gjithçka që mund të ndërlidhet me këtë situatë.

“Ndërlidhur me këtë, sa për njoftimin tuaj, në Kosovë njihet e drejta e orientimit seksual si dhe e drejta e lirisë së shprehjes, përderisa nuk cenohet tjetri në formë të shkeljes së të drejtës apo lirisë së garantuar me kushtetutë. Policia merr në konsideratë gjithçka që mund të ndërlidhet me ndonjë situatë të caktuar dhe veçmas kur ka organizime ngjarjesh dhe manifestime të çfarëdo lloji”, ka thënë Borovci.

Tutje ai ka bërë të ditur se policia ka hartuar një plan, në të cilin do të ndërmerren veprimet me qëllim të sigurimit të kësaj ngjarje.

“Vlerësuar rrethanat që karakterizojnë këtë manifestim, policia ka hartuar planin e saj operativ në të cilin ka bashkërenduar dhe ka inkorporuar të gjitha veprimet operative që do të ndërmerren me qëllim të monitorimit dhe sigurimit të mbarëvajtjes së kësaj ngjarjeje.Për më shumë policia e Kosovës është e përkushtuar që të siguroj me rigorozitet të gjitha organizimet e lejuara, si dhe të parandaloj çdo veprim nga kushdo qoftë i cili do të kishte tendenca të mohimit të lirive dhe të drejtave të individit”, ka thënë Borovci.

Parada e Krenarisë nga homoseksualët mbahet për herë të parë nesër në Kosovë, dhe fillon nga ora 11:30.