75 Mall Live Search
18:14 / E Premte, 06 Mars 2020 / indeksADMonline

Pas koronavirusit, Kina bën të paligjshëm konsumin e kafshëve të egra

Në vazhdën e epidemisë së koronavirusit, që mendohet se e ka origjinën në një treg kafshësh të egra në Wuhan, Kina miratoi ligjin që e bën të paligjshëm konsumin e kafshëve të egra.

Megjithëse është ende e paqartë se cila kafshë transmetoi virusin te njeriu – lakuriq nate, gjarpër, pangolin etj., – Kina pranoi se duhet të vendosë nën kontroll industrinë fitimprurëse të kafshëve të egra për të parandaluar një shpërthim tjetër.

Në fund të shkurtit, u ndalua përkohësisht konsumi i kafshëve të egra tokësore. Mirëpo bllokimi i tregtisë së tyre pritet të jetë tepër e vështirë. Përdorimi i kafshëve të egra nuk lidhet vetëm me ushqimin, por ka rrënjë të thella në kulturën kineze, qoftë në mjekësi tradicionale, veshje, zbukurime madje përdoren edhe si kafshë shtëpiake.

Nuk është hera e parë që zyrtarët kinezë përpiqen të kontrollojnë tregtinë. Në vitin 2003, shumë civet (lloj gjitari) u vranë pasi u zbulua se kishin transmetuan virusin SARS.

Ekspertët e shëndetit publik thanë se ndalimi është një hap i rëndësishëm dhe i bëjnë thirrje Pekinit të shfrytëzojë momentin për të ndaluar përdorimin e kafshëve të egra në mjekësinë tradicionale dhe të fillojë ndryshimet kulturore rreth konsumit të tyre.