75 Mall Live Search
08:35 / E Premte, 04 Korrik 2025 / Z S

Pas kritikave dhe kërkesës së Ramës, japin dorëheqjet të gjithë drejtorët e Bashkisë s; Vlorës

Një ditë pas kërkesës dhe kritikave të kryeministrit Edi Rama, në bashkinë e Vlorës kanë dhënë dorëheqjet të gjithë drejtorët e këtij institucioni.

Mësohet se procesi i dorëheqjeve ka nisur që dje, pas urdhrit të prerë të kryeministrit Edi Rama dhe vazhdon ende edhe sot.

Kryeministri ishte paraditen e djeshme në Bashkinë e Vlorës, i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura.

U mësua se Rama udhëroi dje kryebashkiakun Ermal Dredha që të kërkojë dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të tij. Një urdhër që është zbatuar pa mëdyshje, por që duket i pazakontë, për një kryeministër, pavarësisht se kryebashkiaku i përket partisë së tij.

Pakënaqësitë e Ramës ndaj situatës në Vlorë, u shfaqën dukshëm dhe dy javë më parë. Në festën e Partisë Socialiste, ra në sy një komunikim i tensionuar mes tij dhe Dredhës.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, e cila zgjati afro 90 minuta, morën pjesë dhe deputetët në largim dhe ata të zgjedhur më 11 maj.