Pas Mbretërisë së Bashkuar, edhe Polonia anulon koncertin e Kanye West
Stadiumi polak “Śląski” njoftoi të premten se do ta anulojë koncertin e reperit amerikan Kanye West (Ye), vetëm pak ditë pasi u shty edhe paraqitja e tij në Francë. Vendimi vjen mes reagimeve të forta që lidhen me komentet e tij antisemite në të kaluarën dhe glorifikimin e nazizmit.
“Dëshirojmë t’ju njoftojmë se koncerti i Ye (Kanye West), i planifikuar për 19 qershor 2026 në stadiumin “Śląski”, nuk do të mbahet për arsye formale dhe ligjore”, shkroi në Facebook drejtori i stadiumit, Adam Strzyzewski.
Vendimi i stadiumit, i cili ndodhet në qytetin perëndimor Chorzów, u raportua fillimisht nga gazeta Wyborcza. Ai erdhi pak më shumë se një javë pasi Britania e Madhe e ndaloi 48-vjeçarin të udhëtonte atje, ku ishte paraparë të ishte ylli kryesor i një festivali.
Reperi ende nuk ka reaguar publikisht për anulimin në Poloni. Kanye West, i njohur si Ye, në janar kërkoi falje pas kritikave të shumta, duke thënë se sjellja e tij lidhej me një çrregullim bipolar të patrajtuar. Autoritetet polake kishin paralajmëruar më herët se do të përpiqeshin ta ndalonin koncertin e planifikuar për 19 qershor.
“Në një vend të shënuar nga historia e Holokaustit, nuk mund të sillemi sikur kjo është thjesht argëtim”, deklaroi të enjten ministrja polake e Kulturës, Marta Cienkowska.

