22:00 / E Premte, 16 Gusht 2019 / indeksADMonline

Pas njoftimit të Kosnett për dorëheqje, reagon agjencia që drejtohet nga ‘Ftyra’

Pas dorëheqjes së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave (AKKVP), ka reaguar agjencia e cila drejtohet nga ish-eprori i UÇK-së, Naser Shala – i njohur me nofkën “Ftyra”.

Agjencia shtetërore, në një njoftim për media, nuk i është referuar asnjëherë dorëheqjes nga bordi të Kosnettit, por ka përmendur punët që janë realizuar pas arritjes së “Ftyrës” në krye të agjencisë.

“Me emërimin e menaxhmentit të ri nga ana e Kuvendit të Republikes së Kosoves, Agjencioni ka vazhduar me ngulm lirimin e pronave të uzurpuara në të cilat ekzistojnë banues të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e AKKVP-së.

“Agjencioni në këtë drejtim ka bërë dëbimin në disa nga 55 pronat në të cilat ekzistojnë uzurpime të paligjshme dhe prioritet i është dhëne atyre që kanë Aktgiykim te Gjykatës Kushtetuese te datuara që nga viti 2014. Nga kjo kategori është bërë lirimi i pronës në 4 raste dhe rasti i pestë është në proces”.

AKKVP ka deklaruar se me emërimin e Naser Shalës drejtor, është rritur performanca e agjencisë.

“Po ashtu kemi vazhduar me lirimin e pronave të uzurpuara edhe në pjesën veriore te Mitrovicës në përputhje me vendimet e lëshuara nga ana e Komisionit për Kërkesa Pronësore. Përderisa gjatë vitit 2018 në pjesën veriore të Mitrovicës janë bërë vetëm 3 lirime të pronave, që nga marsi 2019 e deri tani Departamenti i Ekzekutimeve ka liruar 6 prona”, thuhet në reagimin e agjencisë.

Kosnett dha dorëheqje sot nga bordi i AKKVP-së, në të cilën bënte kohë më parë bënte pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, por edhe ai dha dorëheqje shkaku i emërimit të Shalës.

Ambasadorët Kosnett dhe O’Connell e kanë kontestuar prej kohësh emërimin e Naser Shalës – “Ftyrës”, në krye të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave.