16:27 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Pas raportimit të Indeksonline, përfaqësues të ministrisë bënë inspektimin e mbi 3000 drunjëve dekorativ në Suharekë

Në nëntor të vitit 2019 Lëvizja Vetëvendosje dega në Suharekë kishte reaguar për kontratën “Krijimi i parqeve të gjelbërta-mbjellja e fidaneve përgjatë rrugës Suharekë-Prizren” sipas të cilës ishte paraparë mbjellja e 2800 copë.

Mjetet për realizimin e këtij projekti janë ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por ky projekt nuk ka shkuar sipas planifikimit, destinacioni i mbjelljes së këtyre fidaneve është ndryshuar, pjesa dërmuese e tyre janë mbjellur në hapësira lokale-rurale, madje ka fidane të cilat janë mbjellur në rrugë terciare, si p.sh në rrugën “Ledina Halimit” në fshatin Savrovë, thuhej në reagimin e LVV-së.

Kjo kontratë gjithashtu kishte vlerën jashtëzakonisht të madhe, totali i së cilës ishte 259.840€. Nëse këtë vlerë e llogaritim me numrin e fidaneve (2800) atëherë për vetëm një fidan të till janë paguar 92€ nga paraja publike.

Gjashtë muaj pas mbjelljes së këtyre fidanave, konkretisht ditë më parë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Suhareka, Salih Zyba, ka ngritur shqetësimin se si shumica e drunjëve te “LEDINA E HALIMIT” nuk gjelbëruan. Dikush duhet të jep përgjegjësi për devijimin e këtij projekti, edhe për tharjen e menjëhershme të tyre, ka shkruar Zyba.

Indeksonline ka publikuar sot një hulumtim të detajuar për rastin e drunjëve, dhe menjëherë pas kësaj, përfaqësues të Ministrisë – Departamenti i Mjedisit, së bashku me zyrtarë komunal dhe ekspert të kompanisë e cila ka bërë mbjelljen e mbi 3000 drunjëve në komunë kanë kontrolluar zhvillimin e drunjëve dekorativ.

Ky kontrollim u realizua me kërkesë të komunës për të parë nga afër nëse drunjët janë duke e dhënë rezultatin e kërkuar. Pas këtij inspektimi, është kërkuar nga kompania që të bëj inspektimin e vazhdueshëm sipas kushteve të kontratës së nënshkruar.

https://indeksonline.net/skandaloze-ne-suhareke-ministria-e-ambientit-mbjelle-fidane-92-euro-copa-gjysma-e-tyre-thahen1/