10:34 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Skandaloze: Në Suharekë, Ministria e Ambientit mbjell fidanë 92 euro copa, gjysma e tyre thahen

Jeton Sopa / Indeksonline

259.840 euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbjellja e 2.800 fidanëve, Komunës së Suharekës. Ky investim është bërë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në nëntorin e vitit të kaluar (2019). Llogaritur për një copë i bie se një fidan ka kushtuar hiç më pak se 92 euro.

Përveç çmimit tejet të lartë, ajo çka është më skandaloze është se shumica prej drunjve ë mbjellë nëpër disa fshatra të Suharekës nuk kanë zënë fare dhe me ardhjen e stinës së pranverës ata janë tharë.Indeksonline ka bërë një hulumtim të detajuar rreth këtij tenderi, i cili që në fillim ishte me shumë parregullësi, duke devijuar tërë projektin nga planifikimi në investim, i cili fillimisht ishte planifikuar që fidanët do të mbilleshin në rrugën magjistrale Suharekë-Prizren. Por pastaj ishte devijuar, duke përfunduar nëpër rrugët e disa fshatrave të Komunës së Suharekës.

Drunjët e tharë në fshatin Peqan të Suharekës

Indeksonline ka vizituar disa fshatra të Suharekës nëpër lokacionet ku edhe janë mbjellë fidanët. Në të dyja anët e rrugës Suharekë-Peqan janë mbjellë qindra drunnj blini dhe nga ajo që shihet gjendja aty është e tmerrshme. Shumica prej tyre janë të tharë, nga një shikim i detajuar mund të thuhet se mbi 80% e ndrunjëve të mbjellë nuk kanë zënë fare. Banorët thonë se fidanët e mbjellë vjet janë mbjellë shkel e shko dhe që nga atëherë janë lënë pa përkujdesje fare.

Edhe nëpër fshatrat e tjerë të Suharekës gjendja është e ngjajshme. Përgjatë rrugës Suharekë-Mushtisht më konkretisht në fshatin Dubravë qindra drunjë janë të tharë.

Fshati Dubravë

“S’ki çka i fotografon, janë tharë krejt veç i kanë mbjellë sa për sy e faqe”, thotë njëri nga banorët, i cili nuk dëshiron të identifikohet.

Gjendje më e mirë nuk është as në fshatin Savrovë, ku për dallim nga fshatrat e tjerë këtu janë mbjellë fidanë edhe nëpër rrugët e lagjeve dhe në parkun në qendër të këtij fshati.

Në vendin e quajtur “Lendina e Halimit” mbi 80 % e fidanëve janë tharë në të dyja anët e rrugës.

Drunjët e tharë në fshatin Savrovë

Dyshime për keqpërdorime në këtë tender

Indeksonline ka hulumtuar edhe dosjen e këtij tenderi, i cili fillimisht ishte shpallur më 29 tetor 2018 dhe ishte zvarritur një vit, ku kontrata përfundimtare i ishte dhënë kompanisë “Las Palmas” çmim prej 259.840 eurosh. Në këtë tender kishin konkuruar 7 kompani, ku 6 prej të cilave ishin shpallur të papërgjegjshme dhe tenderin e kishte fituar kompania me çmimin më të lartë.

Ky tender ishte monitoruar nga Komuna e Suharekës, i kontaktuar përmes telefonit kryetari i Komunës Bali Muharremaj thotë se për këtë tender si autoritet kontraktues ka qenë Ministria e Ambientit dhe nuk kanë kurrfarë përgjegjësie si komunë, Muharremaj shpjegon edhe arsyet e devijimit të këtij projekti:

“Ne kemi qenë vetëm monitorues të projektit, sa u përket devijimeve në këtë projekt kjo ka ndodhur, sepse rruga Suahrekë-Prizren në të ardhmen do të zgjerohet me 4 korsi dhe nuk kemi dashur që ta largoinim këtë investim nga komuna jonë.

Drejtoria e Urbanizmit e Komunës sonë i ka bërë kërkesë Ministrisë së Ambientit që të ndërrohen bimët e thara pasi që këto kanë garanci për një vit.

Ne kemi kontaktuar edhe kompaninë përgjegjëse dhe na është premtuar se këta drunjë do të ndërrohen”, thotë  Muharremaj

Indeksonline ka tentuar të kontaktonte me personin përgjegjës të kompanisë, e cila e ka fituar tenderin “Las Palmas” mirëpo ata nuk janë përgjigjur edhe pas disa thirrjeve telefonike.

Ne kemi bërë një vizitë nëpër disa pika të shitjes të lulishteve nëpër Kosovë dhe kemi pyetur për çmimet e një fidani të tillë ku çmimi mesatar për një fidan bliri varion nga 15-20 euro në çmimet me pakicë.

Për më shumë detaje mund të ndiqni videon e mëposhtme./Indeksonline/