09:12 / E Diele, 23 Qershor 2019 / indeksADMonline

Pas suksesit të Kelmendit, ministri i sportit ka një thirrje për deputetët lidhur me Ligjin për Sponzorizim

Suksesin e xhudistëve nga Kosova, Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës të cilat arritën medaljen e artë përkatësisht të argjendtë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, po e përcjellë nga afër ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ai është krenar për arritjen e xhudisteve, veçanërisht me promovimin e Kosovës në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Pardje u bë hapja e Lojërave Evropiane ku sportistët kosovarë defiluan me flamurin e shtetit. Ishte një pritje shumë e mirë nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën. siç është Bjellorusia. Trajtimi i delegacionit të Kosovës ka qenë në nivel të barabartë me të gjitha vendet tjerat pjesëmarrëse. Mendoj se prezantimi dhe paraqitja e sportistëve është në mënyrën më dinjitoze. E veçanta e gjithë kësaj ishte fitorja e Majlinda Kelmendit që arriti titullin e kampionit të Evropës, duke e mposhtur në finale rusen edhe Nora me medaljen e argjentë.

Janë dy medalje shumë të rëndësishme sepse ishte medalja e parë e artë për Majlindën në këto lojëra. Kemi vetëm 12 sportistë në këtë garë dhe që në ditën e parë jemi stolisë me 2 medalje. Kjo tregon edhe njëherë se sportistët e veçanërisht xhudistët janë një prej kategorive më të rëndësishme të popullatës së vendit tonë dhe janë duke e promovuar shtetin e Kosovës me theks të veçantë në vendët që nuk e kanë njohur vendin tonë” deklaroi Gashi për Indeksonline.

Këtë javë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk votuan në shumicë për të harmonizuar një amandament të Ligjit për Sponzorizim në Sport, dhe në këtë mënyrë ky ligj ende nuk është duke u implementuar.

Kjo ka shkaktuar një reagim të fuqishëm nga Federatat Sportive dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, të cilët thonë se Ligji për Sponzorizim është jetik për zhvillimin e sportit. Ministri Gashi thotë se dikasteri që ai drejton ka kryer detyrat e saj dhe tashmë çështja është te deputetët.

“Ligji është në fuqi, është votu para dy vitesh por nuk është harmonizu në seancën e fundit me ligjin për të ardhurat në korporata, është fjala për një nen që duhet me u harmonizu përkatësisht një amandament të cilin e kanë propozu disa deputetë.

Ne si ministri sa i përket obligimeve tona i kemi përfundu të gjitha e kemi nxjerrë rregulloren për sponzorizime, kemi themelu komisionin për vërtetim në sponzorizime dhe poashtu kemi nxjerrë 11 vendime me të cilat kemi njoftë 11 sponzorizime që kanë ndodhë në Kosovë nëpër klube të ndryshme. Prandaj si ministri kemi përfundu të gjitha detyrimet dhe kjo tashmë është çështje e Administratës Tatimore të Kosovës e cila duhet ta implementoj Ligjin për Sponzorizim” shprehet ministri Gashi.

Ai poashtu ka bërë thirrje që deputetët të mos e bllokojnë këtë ligj që duhet sa më shpejtë të implementohet.

“Unë jam i sinkronizuar me Federatat dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, edhe unë i bëj thirrje deputetëve që ta harmonizojnë sepse është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe i duhet Kosovës një ligj i tillë. Natyrisht që Administrata Tatimore po heziton dhe i ka arsyet ndoshta të vetat por unë jam i bindur që ky ligj dhe deputetët më në fund do ta harmonizojnë ligjin në mënyrë që të filloj implementimi” përfundon Gashi.