PDK: Ky është vetëm fillimi i një rruge të re, do të presim përfundimin e numërimit zyrtar para se të dalim me qëndrime tjera politike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka dalë me një konferencë për media pas mbylljes së qendrave të votimit.
Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka thënë se qytetarët e Kosovës sot votuan për Ma Mirë. Stavileci po ashtu ka thënë se Kosova dëshmoi edhe një herë se është një demokraci e pjekur, ku qytetarët vendosin me votën e tyre për të ardhmen e vendit.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë. Qytetarët e Kosovës treguan kulturë të lartë politike, duke votuar me përgjegjësi dhe qetësi. Kjo është një fitore për vendin tonë dhe për të ardhmen që të gjithë bashkë po ndërtojmë! Një falënderim i veçantë i shkon kandidatit tonë për Kryeministër, Bedri Hamza, i cili udhëhoqi një fushatë dinjitoze, me ide dhe program të qartë për zhvillimin e Kosovës. Po ashtu, mirënjohje të veçantë për Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili me vizionin dhe udhëheqjen e tij i dha kësaj fushate energjinë dhe unitetin që i nevojitej. Kjo ishte një fushatë që frymëzoi dhe bashkoi njerëzit rreth vlerave të zhvillimit, përgjegjësisë dhe progresit. Një falënderim i përzemërt shkon për çdo votues, aktivist, mbështetës, komisioner dhe vëzhgues të PDK-së, të cilët punuan me përkushtim të madh. Falë jush, kjo fushatë ishte një histori suksesi. Puna juaj nuk ka përfunduar ende – mbrojtja e secilës votë është prioriteti ynë i përbashkët! Ne jemi të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet më mirë sesa çfarë pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit polleve. Prandaj, mbetemi të kujdesshëm dhe të përkushtuar që çdo votë të numërohet me korrektësi dhe transparencë”, tha ai. .
Ndërsa ka thënë se do të presin përfundimin e numërimit zyrtar, para se të dalin me qëndrime tjera politike.
“Siç kemi thënë nga fillimi, ne respektojmë procesin dhe do të presim përfundimin e numërimit zyrtar para se të dalim me qëndrime të tjera politike. Gjatë mbrëmjes, kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, do të mbajë një konferencë tjetër për të ndarë me ju reflektimet dhe vizionin tonë për hapat e mëtejshëm. Me gjithë zemër, ju falënderojmë për besimin dhe mbështetjen tuaj! Ky është vetëm fillimi i një rruge të re për Kosovën – një rruge drejt Ma Mirë”, ka thënë Stavileci./Indeksonline/