13:28 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / k.v

PDK merr vendim për ta votuar Projekt-Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka njoftuar se në Komisionin për buxhet dhe transfere, pas reflektimit të Qeverisë në raport me kërkesat e PDK-së, ka kaluar Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, raporton IndeksOnline.

“Bashkë me z. Bedri Hamza, si anëtarë të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin për buxhet dhe transfere, kemi arritur t’i shtynim përpara amendamentet, të cilat kanë qenë kërkesa të PDK-së, pas diskutimeve që kemi pasur si subjekt politik me komunitetin e biznesit”, ka thënë Gashi.

Kërkesat e PDK-së të propozuara përmes amendamenteve janë:
-Pako pre 200 milionë eurosh për bizneset.
-Mbështetje me nga 300 euro për tre muaj për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë.
-Rimbursimi i 10% të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional i Kosovës, për të gjithë ata që kanë deri në 9.999.00 euro.
-Lirimi nga TVSH-ja për lëndën e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore, pavarësisht a eksportohen jashtë vendit.