11:25 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019

PDK: Përvjetori i Lidhjes së Prizrenit u shënua në mënyrë të zbehtë

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren ka reaguar për mënyrën e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duke thënë se ishte shumë e zbehtë.

Ata kanë kritikuar pushtetin lokal që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, që sipas PDK-së, dikur protestonte para Kuvendit Komunal.

Sipas PDK-së, Kuvendi Komunal ka fyer Prizrenin me aktivitetet e tyre simbolike duke mos organizuar as një akademi solemne.

“Shënimi në këtë formë i 141-vjetorit të njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të Historisë Kombëtare, vetëm me disa aktivitete simbolike, konsiderojmë se është fyese për Prizrenin, që tashmë edhe në saje të LSHP-së është shpallur Kryeqytet Historik. Veprimet kësisoj të këtij pushteti janë dëshmia më e mirë para qytetarëve për paaftësinë e tyre për menaxhim të ekzekutivit komunal, të cilin e udhëheq Vetëvendosje”, thuhet në reagim.

PDK i konsideron si të papranueshme arsyetimet e zyrtarëve lokalë se reduktimi i aktiviteteve ka ardhur si pasojë e anulimit të prokurimit për organizimin e manifestimeve për nder të festave të qershorit.

“A është serioze kjo kur, qe 141 vjet dihet se 10 Qershori është përvjetori i LSHP-së, ndërsa qe dy dekada 12 Qershori-Dita e Çlirimit të Prizrenit. Në këtë rast nuk është dashur kurrfarë mjetesh për ta mbajtur një akademi solemne. Habitemi kësaj radhe, se si pushtetarët lokalë dhe kryetari Haskuka nuk e fajësuan ish-pushtetin edhe për këtë anulim të tenderit, duke i kaluar zbehtë datat më të rëndësishme Kombëtare dhe të Qytetit të Prizrenit”, përfundon reagimi.