17:22 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

PDK sqaron zhvillimet e fundit në Skenderaj

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj ka sqaruar ngjarjet e fundit të Kuvendit Komunal.

Duke iu referuar lëshimit të një seance nga asamblistët e PDK-së së kësaj komune, këtë gjest partia e ka arsyetuar si  veprim politik në shenjë pakënaqësie me disa procedura që janë bërë  nga organet e Kuvendit.

PDK sqaron se  asamblistët e saj nuk e sabotojnë punën e Kuvendit dhe të kryetarit Bekim Jashari, por e mbështesin atë në cdo iniciativë që është në të mirë të qytetarëve.

Ja sqarimi i PDK-së:

Sqarim publik në lidhje zhvillimit në Kuvendin komunal të Skenderajt

Më qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve të Skenderajt, të anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së në Skenderaj dhe opinionit publik në përgjithësi, Dega e PDK-së në Skenderaj informon me sa vijon:

 Grupi i Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Skenderajt në seancën e mbajtur më 30 janar 2018, ka lëshuar seancën si veprim politik dhe nuk është pajtuar me formën dhe proceduarën e zgjedhjes së komiteteve të përhershme  si organe të Kuvendit komunal të Skenderajt.

Thirrja e seancës së njëjte nga Kryesuesja e Kuvendit duke ditur apriori vendimin e Grupit të Asamblistëve të PDK-së dhe duke llogaritur në votat e një pjese të opozitës (votues të saj), është tregues i qartë i jo profesionalizmit papërgjegjësisë dhe papërvojës së studentes së arkitekturës. E gjithë kjo marrë parasysh procedimin e çështjeve pronësore pa u konstituuar organet e Kuvendit siç është KPF (Komiteti për Politikë e Financa).

E informojmë opinionin publik dhe qytetarët e Skenderajt se Grupi i Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Skenderajt nuk ka sabotuar dhe nuk do të sabotojë punën e Kuvendit dhe Kryeartit të  komunës Bekim Jashari, përkundrazi do të mbështesë çdo iniciativë dhe projekt që është në të mirë të qytetarëve të Skenderajt.

Grupi i Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Skenderajt nuk do të bie pre e etiketimeve dhe presioneve e publike e jo publike që po u bëhen anëtarëve të tij, për të përkrahur punën e Kryesueses së Kuvendit komunal që po vepron në kundërshtim me përgjegjësitë ligjore të saj dhe duke bërë veprime të jashtëligjshme. /Indeksonline/

 

Temat: