12:01 / E Enjte, 09 Korrik 2020

PDK-ja tërheq draftrezolutën për dialogun

Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr nga votimi draftrezolutën për dialogun, të cilën e kishin prezantuar në seancën e kaluar për raportimin e Avdullah Hotit në Kuvend për dialogun. Kjo meqë sipas saj pas propozimaktakuzës ndaj Thaçit e Veselit tashmë ka ndryshuar konteksti politik në Kosovë.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk do të mbështesin asnjë rezolutë tjetër, pasi sipas tij tashmë dialogu kërkon një trajtim në kuadër të kontekstit politik në Kosovë.

“Ne e tërheqim nga votimi dhe diskutimi draftrezolutën të cilën e kemi propozuar në seancën në fjalë. Ne besojmë që duhet të ketë një rezolutë tjetër më gjithëpërfshirëse që përfshin këto që i thash. Në emër të PDK-së shpreh qëndrimin që nuk do të mbështesim asnjë lloj rezolutë tjetër, sepse qëndrimi ynë edhe për rezolutën që kemi propozuar fillimisht nuk është më i njëjtë karshi ndryshimit të kontekstit politik”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit ditën kur është mbajtur seanca për raportimin e kryeministrit Avdullah Hotit për dialogun, në Kosovë ishte situatë tjetër.

“Kjo ishte para se të ndodhte deklarimi i Prokurorisë Speciale në lidhje për pretendimet për aktakuzë ndaj presidentit Thaçi, dhe kryetarit Veseli. Dy nga udhëheqësit e UÇK-së. Dhe normalisht që një çështje e tillë e rëndësishme siç është dialogu, kërkon një trajtim në kuadër të kontekstit politik. Ky kontekst politik nuk është i njëjtë, sikur në ditën kur e bëmë atë debat dhe propozuam një draft-rezolutë. Arsyeja ndërlidhej me takimin e paralajmëruar dhe përgatitur për kohë të gjatë që duhet që duhet të mbahej mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Tashmë të gjithë e dimë që ai takim është anuluar dhe nga informatat që dihen deri më tash nuk është përcaktuar që të mbahet. Kemi potencialisht një ndryshim të qasjes dhe ndoshta edhe një përfshirje tjetër për sa i përket SHBA-së, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt për mendimin tonë në potencialin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Rezolutat e miratuara deri më tani tha se kanë pasur më shumë karakter teknik se politik.

“Ne besojmë që është shumë e domosdoshme të shohim platformën e qeverisë, propozimet e qeverisë dhe të kryeministrit dhe të shohim mundësitë që të ecim përpara për të saktësuar dhe siguruar rolin final të Kuvendit të Kosovës në këtë proces. Sepse besojmë që nëse dëshirojmë vërtetë një sukses në pajtim me kushtetutën, edhe me deklaratat e rezolutat e miratuara më herët nga kuvendi, është tepër e domosdoshme që të kemi një kohezion politik të gjerë sa të jetë e mundshme”, shtoi ai.

Mos i humb