06:28 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Pensionet e ushtarakëve bëhet në 10 tetor

Në datën 10 tetor ish-ushtarakët presin një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese me shpresën që kjo e fundit të rrëzojë Gjykatën e Lartë, për vendimin që riktheu në fuqi skemën për llogaritjen e pensioneve të parakohshme mbi bazën e ligjit të 2009-s. Sipas padisë që ka bërë Federata e Ushtarakëve, ata thonë se nëse Kushtetuesja lë vendimin aktual, do të krijohen debitorë të rinj në radhët e ushtarakëve në pension, të cilët kanë fituar gjyqin apo janë ende në proces gjyqësor.

Padia

Katër ditë para se Gjykata Kushtetuese të japë vendimin, nismëtarët e federatës së Ushtarakëve kanë hartuar kërkesë-padinë, për të kundërshtuar vendimin unifikues të marrë nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në prill të këtij viti. Me argumentin se ky vendim cenon hapur dhe rëndë të drejtat e fituara me ligj, federata e Ushtarakëve ka kërkuar nga Kushtetuesja pezullimin dhe shfuqizimin e tij. Një grup i posaçëm pune, ka hartuar padinë në të cilën janë formuluar të gjitha kundërshtitë, të cilat kanë si pikënisje efektet e mundshme që pritet të rrjedhin nga vendimi. Skema e lënë në fuqi për rillogaritjen e pensioneve është kontestuar fort, duke qenë se krijon premisat për krijimin e debitorëve të rinj në radhët e ish-ushtarakëve që kanë dalë në pension të parakohshëm.

Janë rreth 4 mijë persona që kanë fituar gjyqin apo janë ende në proces që preken nga vendimi, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë shtetit shuma që variojnë nga 200 mijë deri në 3.7 milionë lekë. Bëhet fjalë për të gjithë ata që e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm ka lindur prej datës 1 janar 1999, deri me hyrjen në fuqi të ligjit nr.1042 në 2009, por pensioni nuk u është caktuar ende. “Gjykata e Lartë ka vendosur të kthejë në debitorë të gjithë ushtarakët të cilëve, pasi në zbatim të vendimit kthehen për rigjykim çështjet e tyre nga Kolegji Administrativ në Apelin Administrativ dhe ato që janë në Apelin Administrativ të kthehen në shkallën e parë Administrative me synimin e qartë rrëzimin e padive të ushtarakëve.

Kjo është një masakër e vërtetë, sepse me këtë vendim unifikues përkeqësohet situata financiare e ushtarakëve. Nga një anë, qeveria eliminon debitorët me argumentin se është zbatuar keq ligji nr.10142/2009 i ndryshuar, kurse Gjykata e Lartë tenton të krijojë përsëri debitorë të rinj, duke iu kundërvënë hapur Kuvendit dhe Qeverisë”, thuhet në padi. Federata e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Lartë antikushtetues, duke vë- në në dukje se minon besimin e qytetarëve. Në muajin prill, Kolegjet e Bashkuara dolën me një qëndrim të përbashkët për të lënë në fuqi skemën e përcaktuar në nenin 29 të ligjit të 2009- s. Ky ligj në tërësinë e tij është kontestuar nga ushtarakët, pasi nga zbatimi i tij dhe Aktit Normativ të 2010-s mbi 6 mijë ushtarakë morën statusin e debitorit. Ata ishin të detyruar që t’i kthenin shtetit 20 deri në 25% të përfitimit mujor. Por një vit më parë, Qeveria e amnistoi këtë borxh të krijuar./Shekulli