12:42 / E Hënë, 27 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Për 28 Nëntor, Nisma zotohet për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike

Nisma për Kosovën ka uruar gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit.

Përmes një komunikate për shtyp, duke uruar për këtë festë, Nisma është zotuar për të pranuar me përkushtim të plotë në forcimin e shtetësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, transmeton Indeksonline.

Ky është urimi i Nsimës:

Urime të gjithë shqiptarëve festat e Nëntorit!

Sa herë vjen Nëntori, aty ku frymon shqip, kujtohet dhe festohet e kaluara heroike shqiptare.

28 Nëntori, Dita e Flamurit Kombëtar, dalja në publik e UÇK-së dhe datëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, janë ditët më të lavdishme të kombit shqiptar, janë ditë sakrificash, ditë lavdie e krenarie.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ngjarja që u shkrua me shkronja të arta në historinë e kombit tonë, ishte lufta për çlirimin e Kosovës. Liria dhe pavarësia e Kosovës kanë në themel luftën legjendare të bijve e bijave tanë. Sa herë që përmendet kjo luftë, kujtohen me nderime të mëdha luftëtarët dhe komandantët e shquar, kujtohen betejat legjendare që kanë larë me gjakun e dëshmorëve të UÇK-së çdo pëllëmbë të Kosovës.

Duke përkujtuar aspiratat dhe idealet e komandantit Adem Jashari dhe Familjes Jashari, zotohemi për të punuar me përkushtim të plotë në forcimin e shtetësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke e fuqizuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

NISMA për Kosovën!