18:28 / E Enjte, 01 Dhjetor 2022 / AR

Për 5 ditë vriten dy gra, pikërisht kur mbahet fushata “16 ditët e aktivizmit” me moton “As edhe një më shumë”

Pikërisht në fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me moton “As edhe një më shumë”, në Kosovë dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Të dy rastet ndodhën në kryeqytet. Rasti i parë ishte ai i 63-vjeçares, e cila dyshohet se u vra në mëngjesin e hershëm të 25 nëntorit.

Mësimdhënësja e gjeografisë në shkollën “Dardania”, Sadije Godeni dyshohet se u vra me sëpatë nga burri i saj, Izet Godeni, 70-vjeçar.

Sipas Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi dikur në orët e para të mëngjesit të së premtes.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, ka thënë Prokuroria në njoftimin e saj.

Ndaj Godenit, Gjykata Themelore ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sadije Godeni dhe Izet Godeni

Kurse, mbrëmë (30 nëntor) para oborrit të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, u vra shtatzëna Hamide Magashi, 35-vjeçare.

I dyshuari i vetëm për këtë rast është ish-burri i saj, Sokol Halili, me të cilin ishin në proces të ndarjes. Hamidja u qëllua për vdekje me armë zjarri, ku nga plagët e marra vdiq edhe foshnja.

Policia e ka shpallur në kërkim të dyshuarin por që deri më tani nuk raportohet për arrestimin e tij. /Indeksonline/

PHOTOS and NAMES/ This is the pregnant woman who was killed by the  "monster" man on the eve of giving birth, kept her locked up for 6 months
Sokol Halili dhe Hamide Magashi