15:52 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Për Ditën e FSK-së, ministri Berisha merr letër urimi nga Garda Kombëtare të Ajovës

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha ka pranuar një letër urimi, me rastin e ,,Ditës së FSK-së’’ nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), gjeneral Timothy Orr.

Në letër, komandanti i Gardës Kombëtare shprehet: ,,Urimet më të mira për Ty dhe të gjithë pjesëtarët tuaj, me rastin e kremtimit të Ditës së FSK-së 2017. Si shtet- partner i juaji, ushtarët dhe pjesëtarët e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës  janë jashtëzakonisht krenarë për lidhjet e thella  dhe serioze që janë  krijuar mes  organizatave  tona, dhe ndihen të nderuar që t`i kujtojnë për një çast të arriturat e mëdha të FSK-së gjatë këtij viti.’’

Më tej, gjenerali amerikan Timothy Orr shkruan: ,,Në veçanti duhet përmendur puna e udhëheqjes së FSK-së lidhur me integrimin e pjesëtarëve  të minoriteteve në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe aktivitetet e  kryera me qëllim të përforcimit të rolit të rëndësishëm që ka FSK-ja  në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.’’

Këto lloje të aktiviteteve, vazhdon komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës,  edhe një herë dëshmojnë arsyen se pse FSK-ja po vlerësohet si organizata më e besueshme dhe më e respektuar në tërë Kosovën. Ashtu siç Ushtria Amerikane udhëhoqi përpjekjet për integrim në vendin tonë në fund të viteve 1940, FSK-ja, sot po bën të njëjtën gjë në Kosovë. Edhe pse nuk është  e lehtë gjithmonë, ky është një hap i rëndësishëm në vazhdën e  zhvillimit të FSK-së pasi që po përpiqet të jetë Forcë për të mirë në rajon.

Më tej, në letrën e urimit dërguar ministrit Rrustem Berisha, gjenerali Orr thekson: ,,Gjithashtu, duhet përmendur përparimi në fushën e zhvillimit të nënoficerëve, logjistikës, mjekësisë ushtarake, aktiviteteve  kibernetike dhe të komunikimit, kapaciteteve të veçanta ku Garda Kombëtare e Ajovës ka përqendruar përpjekjet e saj në punën me homologët e tyre të FSK-së. Bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë kanë qenë evident në më shumë se 20 shkëmbime brenda programit të partneritetit shtetëror të cilat kanë ndodhur këtë vit.

Gjenerali amerikan Timothy Orr vlerëson lartë përshtypjet dhe vlerësimin e ushtarakëve që ai komandon duke u shprehur: ,,Pjesëtarët e Ushtrisë dhe ata të Forcave Ajrore të Gardës të cilët punuan me pjesëtarët tuaj, janë kthyer shumë të impresionuar me energjinë, përkushtimin dhe dëshirën e pjesëtarëve tuaj për t’u përmirësuar dhe mësuar. Këto lloje të qëndrimeve përbejnë themelet mbi të cilat një organizatë mund  të jetë e suksesshme pa marrë parasysh misionin e saj.’’

Në fund, komandanti i Gardës Kombëtare të Shtetit Ajova të SHBA-ve shprehet se mezi pret që vitin tjetër të vazhdohet ky bashkëpunim i shkëlqyer: ,, Mezi po e pres vitin tjetër për të punuar së bashku për konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve tona mes Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës’’.

Republika e Kosovës dhe Shteti i Ajovës, përkatësisht Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Garda Kombëtare  e  Ajovës  janë në partneritet shtetëror që nga viti 2011.